Rumani: Bie kërkesa për shkarkimin e kryetares së agjencisë kundër korrupsionit

E publikuar: 28/02/2018 00:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucioni kryesor që garanton zbatimin e drejtësisë në Rumani, hodhi poshtë një kërkesë të Ministrit të Drejtësisë për të shkarkuar prokuroren kryesore kundër korrupsionit, disa ditë pasi protestuesit dolën në rrugë për të përkrahur punën e saj.

Ministri i Drejtësisë, Tudorel Toader kishte kërkuar shkarkimin e Laura Codruta Kovesit javën e kaluar, duke e akuzuar se kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe kishte dëmtuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Këshilli i Lartë i Magjistratëve që shqyrton çdo kërkesë të tillë për shkarkim, votoi kundër kërkesës së martën dhe tha se do të jepte shpjegime për vendimin më vonë.

Vendimi përfundimtar për të ardhmen e Kovesit tani është në dorën e Presidentit centrist Klaus Iohannis që tha se e mbështet atë.

Zonja Kovesi ka drejtuar një agjenci për ndjekje penale të rasteve të korrupsionit që në vitin 2013 dhe nën drejtimin e saj numri i dënimeve është rritur ndjeshëm në një nga vendet me më shumë korrupsion në Bashkimin Evropian, duke u vlerësuar nga Brukseli që ka një mekanizëm të veçantë për monitorimin e sistemit të drejtësisë në Rumani.