Rugova: Vendi është në krizë politike e institucionale

E publikuar: 04/05/2019 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të shumë proceseve që kanë stagnuar në Kosovë njohës të çështjeve politike, por edhe opozita po konsiderojnë se vendi çdo ditë e më shumë po i afrohet krizës politike dhe se zgjidhja për të janë zgjedhjet e parakohshme, përderisa nga Qeveria bëjnë thirrje për unitet për ta kaluar këtë fazë kritike, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se vendi aktualisht është në krizë dhe se ndër shkaqet kryesore është mosfunksionimi i Kuvendit.

“Faktikisht vendi është në krizë edhe politike, por edhe institucionale. Duke pasur parasysh që Kuvendi i Republikës së Kosovës është organi më i lartë dhe në të merren vendime kruciale për vendin, ky Kuvend nuk e ka kuorumin që ta bëjë punën e vet, kjo thjesht tregon për një gjendje të rëndë institucionale-politike, por edhe socio-ekonomike si pasojë e këtij mosfunksionimi të kësaj qeverie me partnerë të përgjysmuar”, ka thënë Rugova.

Duke numëruar problemet aktuale, Rugova theksoi se njëra ndër to është edhe moskoordinimi i qëndrimeve mes presidentit e kryeministrit për shumë çështje dhe një gjë e tillë sipas tij e thellon krizën në vend. Por megjithatë Rugova ofroi një zgjidhje, ai konsideron se zgjedhjet do të ndihmonin në situatën aktuale në Kosovë.

“Të gjitha këto pika emërues të përbashkët e kanë krizën institucionale dhe politike dhe zgjedhja e vetme janë zgjedhjet e reja, nga të cilat do të dilte një qeveri e përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe serioze, që do t’i zgjidhte dhe do t’u jepte rrugë këtyre temave, të cilat po e ngufatin perspektivën e vendit”, deklaroi Rugova./ZËRI