“Rrugëtim prej Kampioni”: Legjenda e ka merituar këtë

E publikuar: 22/10/2018 07:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrëfimi emocional për përkushtimin e sportistit Idriz Humolli, fillimet e tij, sukseset dhe sfidat e vështira jetësore, është ekranizuar në filmin dokumentar “Rrugëtim prej Kampioni”.

Kur në mesin e viteve 60’ta, si djalosh i ri filloi të luajë para shtëpisë me shokët, talenti i tij ishte i qartë. Mirëpo, askush nuk ka mundur të supozojë se në cilin drejtim do të zhvillohet me shpejtësi rrufeje karriera e tij. Idriz Humolli, i cili deri sot ka mbetur i dashuruar në bodibilding, me gjithë vështirësitë dhe pengesat e shumta në karrierë, ka mbetur shembull i gjeneratave, transmeton Telegrafi.

Dokumentari “Rrugëtim prej Kampioni”, i autorit Arton Humolli, është një tregim inspirues për sakrificën, punën, talentin dhe këmbëngulësinë e kampionit të shtatëfishtë, Idriz Humolli; ndikimin e tij në themelimin e bodibildingut në Kosovë, hapjen e klubit të parë, themelimin e Federatës së Bodibildingut të Kosovës, si dhe popullarizimin e masovizimin e këtij sporti elitar.

Bashkëbiseduesit në film janë nga e gjithë karriera e tij dhe bashkëpunëtorët e tashëm. Të gjithë ata flasin për arritjet e sportistit të vlefshëm nëpër të gjitha momentet e rëndësishme të karrierës së tij.

Idriz Humolli ende inspiron dhe merret me bodibilding me entuziazmin e njëjtë si kur i ka bërë hapat e parë në terren, ndërkaq ata të cilët e kanë parë deri tani materialin e xhiruar, janë njëzëri në qëndrimin që ky dokumentar, jo vetëm që zbulon anën tjetër të panjohur të këtij gjeniu të bodibildingut, por është edhe tregim për vlerat jetësore, të destinuara për të gjithë adhuruesit e tij, por edhe gjeneratat e reja.

Themeluesi i Federatës së Bodibildingut të Kosovës, i cili kaloi shumicën e jetës së tij duke promovuar me sukses këtë sport në Ballkan, është edhe autor i dy librave dhe shumë e shumë artikujve të botuar në gazeta dhe revista.

“Rrugëtim prej Kampioni”, është prodhim i shtëpisë filmike ‘A&G Production’ i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Departamenti i Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Premiera, është shfaqur të premten në Kinemanë Cineplex, në Albi Mall, Prishtinë.

/Telegrafi/