Rrugët, mirëmbajtja 150 mln dollarë

E publikuar: 21/01/2017 22:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sistemi i mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore. Një projekt i përbashkët mes qeverisë dhe Bankës Botërore do ta përqendrojë mirëmbajtjen e mbi 1300 kilometrave rrugë kombëtarë ne vetëm 4 kompani private.

Bëhet fjalë për një tender me vlerë mbi 150 milionë dollarë, i cili ka si objektiv mirëmbajtjen e rrugëve në cilësi optimale me parametra të përcaktuar dhe uljen e vdekjeve nga aksidentet rrugore.

Sipas projektit, 12 qarqet e vendit janë grupuar në katër rajone të mëdha. Këto janë rajoni i veriut, ai i qendër verilindjes, rajoni i qendër juglindjes dhe ai i jugut.

Top Channel ka mësuar se Autoriteti rrugor ka përfunduar tenderat për tre nga katër rajonet dhe është në procedurat e nënshkrimit të kontratave.

Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor bënë të ditur se mirëmbajtja e rrugëve do u transferohet këtyre kompanive për 5 vjet. Sipas tyre kontrata parashikon jo vetëm mirëmbajtjen fizike, por edhe investime për mirëmbajtjen e rrugëve në stndarde europiane si dhe për korrigjimin e atyre që konsiderohen si zona të zeza për nga rreziku i aksidenteve.

Përmes këtij tenderi, mirëmbajtja e akseve më të rëndësishme në Shqipëri do të përqëndrohet vetëm në katër kompani nga mbi 90 kontrata që janë aktualisht. Banka Botërore e cila financon gjysmën e vlerës së kontratës thotë se përmes tij do të bëhet e mundur që Shqipëria të reduktojë me 15 për qind vdekjet nga aksidentet rrugore, një tregues që vendi ynë e ka ndër më të lartët në Europë.