Rrjeti i të rinjve në Shqipëri: Kërkesat e studentëve të diskutohen edhe në Kuvend

E publikuar: 12/12/2018 19:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN) kërkon seancë dëgjimore urgjente në mbështetje të studentëve në Kuvendin e Shqipërisë

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) shpreh mbështetjen e plotë për protestën e studentëve të universiteteve në vend.

“Ne pajtohemi tërësisht me kërkesat e studentëve dhe kërkojmë edhe zgjidhjen e tyre të menjëhershme nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ne shprehim bindjen tonë të plotë se të drejtat e studentëve kanë nevojë të mbrohen dhe respektohen dhe janë vetë studentët ata që duhet të ngrenë zërin për plotësimin e kushteve të tyre”, thuhet në komunikatën e ANYN.

Protesta e studentëve që tashmë ka hyrë në ditën e 9 të saj, është fokusuar në 8 kërkesa, prej të cilave kyçe, mbeten përgjysmimi i tarifës së studimit dhe dyfishim i buxhetit të arsimit të lartë, përmirësim i kushteve të konvikteve, apo pajisje me Kartën e Studentit.

Në mbështetje të studentëve, ANYN i kërkon qeverisë dhe institucioneve të linjës, Parlamentit Shqiptar, Përfaqësive të Ambasadave në vend dhe përfaqësisë së Bashkimit Europian në Shqipëri, që kërkesat e studentëve të plotësohen tërësisht.

“Ne kërkojmë që tarifa vjetore e shkollimit për studimet universitare të shkojë drejt eleminimit të plotë të saj. Buxheti për arsimin duhet të rritet deri në masën 5% të PBB, për të siguruar kështu jo vetëm një arsim cilësor, por dhe kushte dhe standarte europiane për investimet në universitetet tona. ANYN kërkon që Karta Rinore/Studentore të mundësohet brenda gjysmës së parë të vitit 2019 ndërsa kërkojmë edhe rishikim të menjëhershëm të Ligjit të Arsimit të Lartë, dhe diskutim të gjerë me vetë studentët të akteve nënligjore”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Për të gjitha këto kërkesa si përfaqësues të mbi 50 organizatave rinore joqeveritare në mbarë vendin në vijimësi të takimeve dëgjimore të mëparshme, ne kërkojmë urgjentisht zhvillimin e një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për të diskutuar në tërësi situatën në të cilën ndodhet arsimi i lartë në vend, si dhe zgjidhjet e problematikave ligjore të tyre”.