Rritja e pagave rrezikon investimet kapitale në Kosovë

E publikuar: 05/02/2019 18:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ligji për pagat, i cili është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, do të kërcënojë stabilitetin buxhetor, konsiderojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Buxheti i Kosovës për këtë vit arrin shumën në 2,3 miliardë euro. Nga kjo shumë, rreth 616 milionë euro janë paraparë për kategorinë paga dhe mëditje, por në këtë shumë nuk janë llogaritur ndryshimet që kanë ndodhur pas miratimit të Ligjit për paga. Në bazë të këtij ligji, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pagat u janë rritur rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik.

Pavarësisht kësaj rritjeje, zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se përveç shumës së rregullt prej rreth 616 milionë euro për paga dhe mëditje, me buxhet është paraparë edhe një shumë tjetër shtesë si kontingjencë brenda Ministrisë së Financave dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë problem për zbatimin e Ligjit për paga.

Përderisa Ministria e Financave nuk jep ndonjë shumë financiare për Ligjin për pagat, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se shuma që nevojitet për zbatimin e këtij ligji, llogaritet të jetë nga 90 deri në 120 milionë euro.

Naser Osmani, nga ky komision, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se nga shuma e përgjithshme e buxhetit për këtë vit, 1,4 miliard euro janë paraparë për kategoritë paga dhe mëditje dhe asistenca sociale. Kjo shumë e mjeteve, sipas tij, është e papërballueshme për një buxhet të tillë dhe për një vend me ekonomi të dobët. Osmani shprehet se kjo ndarje buxhetore në vitet vijuese do të tkurrë investimet kapitale.