Rritja e buxhetit nga huamarrja

E publikuar: 31/10/2016 07:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektbuxheti i vitit 2017 prej dy miliardë eurosh apo për afro 320 milionë euro më i lartë se buxheti i këtij viti, pritet të aprovohet sot (e hënë) nga Qeveria e Kosovës.

Ky është afati i fundit kur ky institucion duhet ta aprovojë atë dhe t’ia përcjellë Kuvendit për miratim.

Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, kanë thënë se ky buxhet është buxheti më i madh që ka pasur Kosova dhe, sipas tyre, është i realizueshëm, i qëndrueshme dhe ruan stabilitetin fiskal.

Shefi i ekzekutivit, Mustafa ka thënë se të hyrat tatimore dhe jotatimore parashihen të jenë 1 miliardë e 725 milionë euro, apo 91 milionë me shumë se vitin 2016 ose 380 milionë më shumë në krahasim me fundin e vitit 2014, kur kjo Qeveri e koalicionit e filloi qeverisjen.

Ndërkohë që njohës të ekonomisë kanë mendime të ndryshme rreth buxhetit. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se shifrat e përmendura janë ambicioze, edhe pse thotë se Ministria nuk ka dhënë detaje ende rreth buxhetit.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, ka thënë për gazetën se e ka mirëpritur faktin që rritja e buxhetit është bërë në vijën e investimeve kapitale, që për dallim nga vitet e mëhershme ka pasur rritje në linja të pagave dhe mëditjeve, mallrave dhe shërbimeve.