Rriten kërkesat e mjekëve dhe infermiereve për të ikur nga Kosova

E publikuar: 27/10/2019 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për vite me radhë qindra mjekë e infermierë lëshojnë Kosovën dhe kërkojnë një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani.

Arsyet e ikjes së këtij stafi, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë.

Oda e Mjekëve të Kosovës gjatë vitit 2018/19 ka lëshuar 201 vërtetime të cilat ju mundësojnë atyre gjetjen e një pune në shtete e BE-së. Ndërsa, nga nga 1 janar 2019 deri në tetor, Oda e Infermiereve të Kosovës ka lëshuar 27 vërtetime për infermieret për punë jashtë vendit,transmeton Lajmi.net.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Pleurat Sejdiu, ka thënë për lajmi.net se gjatë këtij viti, 91 mjek kanë kërkuar Certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale.

Sipas tij është i njëjti trend përgjatë dy viteve dhe siç thotë ai, është pak më i ulët se në shtetet që kanë dalur nga ish- Judosllavi dhe Shqipëria, këtu duke përshirë edhe Slloveninë dhe Kroacinë si vende anëtare të BE-së.

“Prej tyre, 110 mjek kanë kërkuar Certifikatë mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale gjatë vitit 2018, kurse 91 mjek kanë kërkuar Certifikatë mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale gjatë vitit 2019. Pra është i njëjti trend përgjatë dy viteve dhe është pak më i ulët se në shtetet që kanë dalur nga ish- Judosllavi dhe Shqipëria, këtu duke përshirë edhe Slloveninë dhe Kroacinë si vende anëtare të BE-së. Në të gjitha këto shtete, të dhënat e tyre tregojnë se mesatarja është largimi i një mjeku në ditë”, ka thënë Sejdiu

Mirëpo, ndryshe thotë kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovës, Blerim Syla.

Sipas tij, gjatë këtij viti rreth 170 mjekë specialistë kanë bërë kërkesë në Odën e Mjekëve të Kosovës për vërtetime të cilat ju mundësojnë atyre gjetjen e një punë në shtete e BE-së.

Syla në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se momentalisht nuk ka statistika për ikjen e mjekëve, por që siç thotë ai, kërkesat janë rritur dukshëm që nga viti i kaluar.

“Momentalisht nuk i kemi të dhëna e fundit, mirëpo janë kërkesat që po behën në Odën e Mjekëve të Kosovës, që po kërkojnë vërtetimin etiko profesional, i cili edhe është në lloj vërtetimi për të dal jashtë. Mirëpo ne nuk e kemi filluar ende hulumtimin e ri dhe tash nuk kemi të dhënë. Ato të dhëna që i kemi pasur i kemi lansuar dhe për momentin nuk kemi. Janë dikur rreth 160 deri 170 kërkesa vetëm këtë vit që janë bërë në Oden e Mjekëve ”, ka thënë Syla.

Ai thotë se mungesa e perspektivës në vend dhe mosgjetja e punës ka shtyrë shumë mjekë të largohen nga vendi. Derisa shton se frika për mos implementimin e ligjit për paga dhe shumë faktor të tjerë ka bërë skeptik doktorët e rinj.

“Mirëpo ajo çka është për tu cekur është se shumica e mjekëve të rinj, duke parë që papunësia e tyre edhe është në rritje tash, prapë se prapë shumica e tyre tash pretendojnë të ikin. Është edhe një frik tash se a po fillon implementimi i ligjit të pagave dhe shumë faktor të tjerë që i ka bërë skeptik këta doktorët e rinj. Mirëpo për numër nuk mund të flas, por e di që bisedimet edhe tjera nga jashtë që po vijnë në Kosovë janë shumë të mëdha. Nëmuri i kërkesave është në rritje e sipër, dmth fillimisht u ndal pak kur u aprovua ligji i pagave, mirëpo tash kanë filluar prapë kërkesat”, ka thënë Syla.

Ndërsa nga Oda e Infermiereve të Kosovës në një përgjigje me shkrim për lajmi.net kanë thënë se këtë vit dukshëm janë rritur kërkesat e infermiereve për punë jashtë vendit.

“Duke u bazuar në të dhënat që i kemi nga 1 janar 2019 deri më datën 23 tetor 2019, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka lëshuar gjithsej 27 ( njëzet e shtatë) vërtetime për punë jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e OIK.

Ata thonë se kryesisht vërtetimet kërkohen për Kodin Etik, e ku vërtetohet nëse infermierët gjatë shërbimit të tyre në Kosovë kanë pasur sjelle të keqe etike apo thyerje të Kodit Etik.

“Ndërkaq gjatë vitit 2018 janë lëshuar gjithsej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vërtetime të tilla, të domosdoshme për punë jashtë vendit. Siç shihet nga statistikat që iu përcollëm evidentohet një rritje sa i përket kërkesave infermierore për punë jashtë vendit”, thuhet tutje në përgjigjen e OIK.

Kujtojmë se gjatë viti 2018 nga Kosova janë larguar gjithsej 154 mjekë specialist, e duket se kërkesat për rritje janë rritur akoma më shumë.

Sido që të jetë Gjermania është vendi që më së shumti po kërkon punëtorë shëndetësorë nga jashtë, ku bën pjesë edhe Kosova.

Me ligjin e ri për Pagat, mjekët specialist marrin 1195 euro, ndërsa infermierët nga 537 në 525 euro.