Rreth 23 për qind e personave të hospitalizuar me COVID-19, e humbin betejën

E publikuar: 16/10/2020 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në bazë të analizave të epidemiologëve, 23 për qind e personave të hospitalizuar me COVID-19 e humbin betejën në spital .

Nga Klinika Infektive thonë se shkalla e lartë e vdekshmërisë është si rrjedhojë e asaj se pacientët në klinikë paraqiten shumë vonë madje 10 ditë pas simptomave të para nga COVID-19.

Në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së kaluar betejën me virusin COVID-19 e kanë humbur 40 persona gjatë kurimit në spital. Numri i përgjithshëm i personave që e kanë humbur jetën si pasojë e infeksionit nga koronavirusi nga fillimi i pandemisë ka arritur në 815.

Nga vendet e rajonit, numrin më të lartë të viktimave nga COVID-19 e ka Bullgaria me rreth njëmijë persona të vdekur, pastaj radhitet Bosnja e Hercegovina me 955 të vdekur nga COVID -19 , ndërkohë që Greqia në OBSH ka raportuar se në këtë vend ka 645 të vdekur nga COVID -19 nga filli i i pandemisë, nga vendet e rajonit në fund të listës është Shqipëria e cila në OBSH ka raportuar 430 viktima nga COVID -19.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Shkup, Milena Stefanoviq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se në analizën e shkallës së vdekshmërisë si rrjedhojë e infeksionit nga COVID-19, duhet të merren parasysh shumë parametra, siç është kultura e mbajtjes së higjienës, kultura shëndetësore, kontrollet e rregullta diagnostikimi me kohë i sëmundjeve kronike dhe fakti se mjekët që i kurojnë pacientët me COVID -19, jo gjithmonë janë të njoftuar për sëmundjet kronike, nga të cilat vuajnë pacientët në fjalë.

Stefanoviq thotë se pjesa më e madhe e pacientëve te mjeku paraqiten pasi infeksioni të arrijë në fazë të avancuar dhe mjekëve u mbetet shumë pak hapësirë për të intervenuar. Sipas tij, kjo është një nga problemet më të mëdha për sa i përket numrit të lartë të vdekshmërisë nga koronavirusi.

“Kur kemi këtë gjendje me COVID-19, është e papranueshme së paku për mua, si mjeke në këtë institucion, të jeni 10 ditë seriozisht i sëmurë, të keni vështirësi serioze dhe të mos kërkoni, madje të mos mendoni se ajo është COVID-19, qoftë edhe të mos e dini se e keni virusin, e të mos paraqiteni te mjeku. Kjo me të vërtetë është e rëndësishme”.

“Një përqindje e lartë drastike nga ata që kanë ndërruar jetë, që i analizuam në institucionin tonë, është numri i madh i pacientëve të cilët kanë pasur më së paku dy ko-morbiditete dhe kanë ardhur 10 ditë më vonë nga fillimi i simptomave – kjo me të vërtetë është vështirë të menaxhohet, të shërohet, kështu që përfundimet këtu janë prej më të padëshiruarave”, thotë Stefanoviq.

Por, me këtë nuk pajtohet kryetarja e mjekëve amë privat, Lidija Dervishova Çollakova, e cila thekson se qytetarët rregullisht paraqiten te mjeku i tyre amë, gjë që mund të verifikohet dhe me shfrytëzimin e lartë të veglës “termini im”.

Çollakova thotë se sa më parë duhet ndryshuar metodologjia, e cila përdoret në Maqedoninë e Veriut për sa i përket regjistrimit të numrit të viktimave nga COVID -19 pasi ajo krijon panik dhe ndjell frikë ngase edhe personat me sëmundje kronike përderisa dalin pozitivë me COVID – 19, kur humbin jetën regjistrohen se kanë humbur jetën si rrjedhojë e koronavirusit.

“Pacientët, të cilët vdesin në spitale, ndërkohë kanë një numër të madh të sëmundjeve tjera kronike përpos infeksionit me COVID -19, për shembull kolegët e mi jo rrallë më kanë informuar për pacientë të caktuar që e kanë humbur jetën përderisa kanë qenë në dializë, ose ka pasur sulm në kokë, apo kanë pasur probleme serioze kardio-vaskulare, por pasi diagnostikohen me koronavirus, këta pacientë regjistrohen si viktima të COVID – 19. Mendoj se popullata është në palcë e frikësuar nga informacionet e këtilla”, thotë Çollakova.

Sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik që ka të bëjë me periudhën kohore nga 5 deri më 11 tetor, janë paraqitur 31 raste të vdekjeve nga koronavirusi në 15 qytete të vendit, që është një rast më shumë krahasuar me një javë më herët.

Për sa i përket moshës, 26 të vdekur ishin mbi moshën 60 -vjeçare, përderisa 4 viktima i përkisnin moshës nga 50 deri 59 vjeç, dhe një person i moshës nga 40 deri në 49 vjeç.

Ko-morbiditeti është regjistruar te 24 nga gjithsejt 31 personat e vdekur.