Rreth 2 mijë raste të konfirmuara me koronavirus nga 13 marsi në Kosovë

E publikuar: 20/06/2020 08:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se janë konfirmuar 82 raste të reja me COVID-19. Numri i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi ka arritur në gati 2 mijë.

Sipas të dhënave të fundit nga IKSHP’ja, deri tani janë shëruar 980 pacientë, derisa betejën me koronavirusin e kanë humbur 34 persona, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Aktualisht në gjithë vendin janë 984 raste aktive me këtë sëmundje.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 456 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilave 82 kanë rezultuar pozitive.

Personat që dolën pozitivë vijnë nga Prishtina, Gjakova, Vushtrria, Prizreni, Feriszaj, Vitia, Podujeva, Fushë Kosova, Klina, Lipjani, Obiliqi, Mamusja dhe Rahoveci.

Sipas IKSHP’së, këto raste janë në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 19 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.680.002 raste të COVID-19 dhe 458.852 raste të vdekjes.