Rrëfimi i nënës së tre fëmijëve: E kam shitur trupin që kur isha 13 vjeçe!

E publikuar: 14/04/2015 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Blerja e seksit në shoqërinë shqiptare mbetet ende një tabu. Paragjykimet për ato që e ushtrojnë si profesion apo për klientët e tyre është ende shumë i madh. Megjithëse i fshehtë, ky aktivitet zhvillohet dendur në shumë qytete në Shqipëri, kryesisht në Tiranë.
Te lulishtja pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”, prapa Muzeut Historik Kombëtar dhe në disa motele në kryeqytet, ky aktivitet zhvillohet gjatë 24 orëve.

Kryesisht arsyet ekonomike janë ato që i detyrojnë këto vajza që të prostituohen. Mosha e tyre varion nga 15 deri në 65 vjeç.

Një prej tyre është edhe 22-vjeçarja, e cila te klientët e saj prezantohet me emrin Lorena.

Ajo tregon se fatkeqësitë e jetës dhe pamundësitë ekonomike e kanë detyruar të shesë veten në rrugë.

Ajo është nënë e 3 fëmijëve, të cilët në pamundësi për t’i rritur vetë, i ka dërguar në shtëpitë e fëmijëve.

Lorena rrëfen se ka jetuar në rrugë që 13 vjeç. Duke ushtruar këtë aktivitet të paligjshëm, ajo është ndaluar disa herë nga policia, madje edhe është burgosur. Por nevoja për ushqim e ka detyruar sërish të kryejë të njëjtën punë.

Ajo tregon se kryesisht gjatë natës, numri i femrave që zhvillojnë këtë aktivitet është shumë i madh.

Lorena, prej sa kohësh bën jetën e një punëtoreje seksi?

“Kam dalë në rrugë që në moshën 13-vjeçare. Prindërit e mi kanë vdekur, kur unë isha e vogël. Më ka rritur tezja, e cila kishte edhe 7 fëmijë vetë. Jetoja në Lushnjë atë kohë. Ajo më trajtonte shumë keq. Më rrihte, më torturonte dhe më detyronte të lypja. Durova deri në moshën 13 vjeç dhe pastaj ika nga shtëpia. U njoha me një djalë, me të cilin bashkëjetova për katër vjet dhe u zhvendosa në Fier. Sot jam në Tiranë, sërish në mes të rrugëve me tre fëmijë. Duke shitur trupin për të fituar bukën e gojës”.

Të tre fëmijët me të njëjtin partner i ke?

“Jo. Fëmijën e parë e kam lindur kur kam qenë 17-vjeç. Në atë kohë bashkëjetoja me dikë dhe kisha një lidhje të qëndrueshme. Ai ishte shumë xheloz dhe shpesh më rrihte, edhe kur një njeri më fliste në rrugë. Një ditë më rrahu keq dhe unë ika nga shtëpia. Flija në rrugë, bashkë me fëmijën. Lypja, por lekët nuk më dilnin, kështu që nisa të shes trupin tim për të fituar bukën e gojës. Në këtë rrugë të keqe kam ngjizur edhe dy fëmijët e tjerë. Nuk e di cili është babai i tyre. Më vjen keq që i solla në këtë jetë, sepse unë herë me bukë dhe herë pa bukë mbetem vetë, jo më të mbaj ata. I kam çuar te shtëpia e fëmijës t’i rritë shteti”.

Nuk e mbron veten ti?

“Po, zakonisht bëj seks të mbrojtur, sepse kështu e kërkojnë edhe klientët, por ndonjëherë ndodhin incidente. Unë nuk kam pasur njeri afër të më mësojë. As në shkollë nuk kam shkuar. Në rrugë i kam mësuar të gjitha gjërat që di. Duke parë edhe vajzat e tjera si unë, mësova se çfarë ishte kontracepsioni dhe nisa ta marr në farmaci”.

Si është një ditë e zakonshme për ty?

“Gjatë ditës rri nëpër kontenierët e mbeturinave dhe mbledh materiale të riciklueshme. Pasdite shkoj pastrohem, vesh rroba ekstravagante dhe dal në qendër të Tiranës. Shëtis, kot. Aty pastaj më vijnë klientët. Ngaqë kam vite që e bëj këtë “punë”, arrij t’i njoh që nga mënyra si ecin apo afrohen, se çfarë qëllimi kanë. Janë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Dikush vjen se nuk ka siguri në vete për të dalë me vajza, dikush se ka mbetur i ve ose është maniak. Ata persona që janë në dukje të rrezikshëm i refuzoj, pasi kam frikë për jetën time.

Ka edhe klientë të vegjël në moshë, poshtë të 20-tave, të cilët kërkojnë të zbulojnë seksualitetin e tyre me vajza si ne. Klientët tanë më të shpeshtë janë kryesisht moshat e thyera. Çmimin e vendos në varësi të nevojës që kam për lekë, nga 500 deri në 2000 lekë. Në rast se vishem bukur dhe e mbaj veten, klientët janë më të gatshëm për të paguar më shumë. Në ditë mbledh mesatarisht 8 mijë lekë”.

Kanë qenë ndonjëherë të dhunshëm ata me ty?

“Po. Jo vetëm me mua, por edhe me vajzat e tjera, që bëjnë jetë si e imja. Jeta që bëj unë ose vajzat si unë, është shumë fatkeqe. Ne shesim trupin për një copë bukë. Ndonjëherë nuk paguhemi nga klientët ose rrihemi nga ata. Por nuk bëjmë dot zë, sepse nuk kemi ku të ankohemi, pasi kjo është një punë e paligjshme. Pavarësisht jetës që jemi detyruar të bëjmë, ne jemi njerëz si gjithë të tjerët. Unë e kam trupin plot shenja të çara dhe të djegura. Edhe shpirtin e kam plot plagë, sepse çdo shikim përbuzës më vret, çdo klient që zbraz dufin te mua dhe ikën, më vret. Po bëre punë të këqija, njerëz të këqij do të takosh”.

Po policia të ka ndaluar ndonjëherë?

“Po, shumë herë. Ndonjëherë më merrnin dhe më çonin në komisariat. Më bënin moral, pse dilja në rrugë. Unë u thashë: ‘Më gjeni një punë dhe një shtëpi që të fus kokën, të ushqej veten dhe fëmijët dhe unë nuk dal më’. Pas 12 orësh më liruan, sepse kisha fëmijën e vogël në atë kohë. Një herë kam qëndruar në burg për një muaj e gjysmë. Ka qenë një eksperiencë shumë e keqe. Që nga ai moment, kam nisur ta ruaj veten dhe të mos bije shumë në sy. Natën ndodh që të na ndalojë policia, por nuk na thotë gjë. Na porosit që të mos krijojmë situata konfliktuale dhe të mos vjedhim klientët”.

Ku jeton tani? “Jetoj në një barakë, pranë një rajoni policie. Po unë më shumë nuk jam në shtëpi. Ditën në punë, natën në punë. Ditën mbledh kanaçe, natën me klientët në motele ose në vende të tjera, ku duan ata të jenë. Para se ta lija djalin e vogël te shtëpia e fëmijës, e merrja me vete edhe kur isha me klientët. Shumë njerëz më paragjykojnë kur e marrin vesh çfarë pune bëj. Duke qenë se nuk kam tutor, ata mendojnë se unë dal nga qejfi në rrugë. Kjo nuk është e vërtetë. Për mua të gjithë ata njerëz që takoj në natë, nuk kanë asnjë vlerë. I shoh vetëm si 500-lekësha. Mua më kanë vdekur emocionet dhe ndjenjat. Unë jam e braktisur nga të gjithë. Punë nuk kam, shkollë nuk kam, kështu që vetëm veten mund të shes që të ushqehem. Punoj nga halli”.

Cila është dëshira jote më e madhe sot?

“Të kem një shtëpi dhe një familje. Kurrë nuk kam pasur mundësi të kem një familje. Do të doja që të jetoja me fëmijët e mi në një shtëpi dhe ta kaloja natën pranë shtratit të tyre, jo nga njëri stol te tjetri, siç bëj tani rrugëve. Më ka lodhur jeta e rrugës”.

Gjykata e Lartë kërkon legalizimin e prostitucionit

Rikthehet debati, nëse duhet ose jo depenalizuar ushtrimi i prostitucionit dhe përfitimi i favoreve seksuale kundrejt pagesës. Ashtu si dhe në vendet e tjera evropiane, edhe në Shqipëri pritet që ky debat shoqëror të shtrihet edhe në aspektin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese njoftoi se po shqyrton kërkesën e paraqitur nga Gjykata e Lartë ( Kolegji Penal), me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 113 të Kodit Penal”. Sipas ndryshimeve të bëra në Kodin Penal, të miratuar në Kuvend në mars 2012, në nenin 113 është përcaktuar se, “ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Sipas kërkesës së Gjykatës së Lartë, femrat që shfrytëzohen për prostitucion nuk duhet të dënohen me burg ose me gjobë. Gjykata e Lartë kërkon që viktimat e trafikimit të mos penalizohen nga ushtrimi i prostitucionit, me argumentin se ky nen është i paplotë. Neni 113, sipas Gjykatës së Lartë, ka mangësi pasi nuk përcakton akuzën për rastet kur vajzat shfrytëzohen jashtë dëshirës së tyre për prostitucion nga tutorë. Kështu Gjykata i kërkon Kushtetueses që të mos konsiderohet vepër penale. Kërkesa pritet të shqyrtohet më 23 prill në Kushtetuese. /shekulli/