Rrëfimet e grave kosovare: Këto janë torturat që i përjetuam në Siri

E publikuar: 24/02/2020 10:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës deklaron se rreth 100 kosovarë ende ndodhen në Zonën e kofliktit në Siri dhe Irak, përderisa ekspertët e sigurisë thonë se institucionet vendore duhet të tregohen të vëmendshme, pasi që, siç thonë ata, ka rrezik nga ideologjia.

E një numër i tyre ishin kthyer vitin e kaluar në Kosovë nga ato zona, nga organet e shtetit.

Portali “Front Online” sjellë rrëfimet e grave që përjetuan gjatë luftës në Siri nga pjesëtarët e organizatave terroriste, pjesë e së cilave ishin bashkë me familjarët e tyre.

E shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe tre fëmijët, Naxhije Hasani, u bë gati të nisej për në Turqi.

Gjendja e rëndë ekonomike dhe “lutjet” e bashkëshortit për një jetë më të mirë e bënë 34-vjeçaren që t’i bindej atij.

Por, rruga për në Turqi, Naxhijes iu kthye në ankth.

Në të vërtetë, pa dijeninë e saj, Naxhija e shoqëruar nga tre fëmijët dhe bashkëshorti ishin nisur për në Siri.

Rruga që kishin marrë ata mund të ishte fatale.

E atje, pa dëshirën e saj, Naxhija u detyra të qëndrojë për katër vjet.

Në Siri, ajo e lindi edhe një fëmijë.

Qëndrimi në vatrat e luftës e bëri atë të përjetojë tmerr e trauma.

Naxhija që vjen nga një fshat i Klinës, bashkë me 31 gra të tjera të kthyera nga vatrat e luftës, po e përfundonin këtë ankth në prill të vitit 2019, kur ato u kthyen në Kosovë.

Gjendja e tyre ishte tejet e rënduar, sakaq dy prej 32 grave u dërguan direkt në spital.

Gashi: Naxhija ishte shumë e dobët me shëndet, e ndrojtur dhe nuk fliste

Rrëfimin e dhimbshëm të Naxhijes e personalizon avokatja që e mbrojti atë, Fehmije Gashi-Bytyqi.

Ajo në një intervistë për portalin “Front Online”, tregon se në çfarë gjendje e kishte takuar për herë të parë klientën e saj, Naxhijen.

“Ajo kur ka ardhur në Kosovë ka qenë shumë e dobët, shumë e ndrojtur, mezi fliste një fjalë, një thatanike. E kam vërejtur në të gjitha momentet sa jam takuar me të, ajo është përmirësuar në shëndet, është lëshuar në komunikim, ka qenë pastaj më e arsyeshme me situatën që po ndodh me të dhe pjesën tjetër të grave. Edhe në gjykim kur ka ardhur, unë kam pasur mjaft sfidë, sepse ajo ka qenë me shkollim vetëm katër vjeçar, edhe unë e kam pozicionuar profesionalisht, kam punuar me të. Kur ja kam sqaruar që pranimi i fajësisë, është rrethanë lehtësuese për të. Ajo ma fali besimin, e pranojë, është ndër gratë e para që e mori dënimin. Ndoshta shërbeu edhe si model për gratë e tjera, dënim me kusht”, thotë avokatja Gashi-Bytyqi për “Front Online”.

Mashtrimi nga bashkëshorti, u nisën për në Turqi e përfunduan në Siri

Avokatja Gashi tregon se Naxhija i kishte rrëfyer asaj se si bashkëshorti e kishte “mashtruar” atë, duke i thënë se po shkojnë për një jetë më të mirë në Turqi.

Thotë se Naxhija është penduar për veprën që ka bërë dhe ka pranuar fajësinë për të cilën u dënua me 2 vjet me kusht.

“Klientja ime ka shkuar përmes Aeroportit të Prishtinës. Bashkëshorti asaj i ka thënë se po shkojmë deri në Turqi për me jetuar pak ma mirë, sepse edhe në Kosovë kanë qenë me një gjendje jo të mirë ekonomike. Ajo atje ka qëndruar prej viti 2015 deri në prill të vitit 2019. Me kushte jo të mira, mirëpo një kohë janë gjind disi, mandej sidomos në periudhën e fundit, kur ka jetuar në kampet të menaxhuara nga kurdët, aty ka qenë gjendja më e rëndë e tyre. Sepse, në grupin e 32 grave kur janë kthyer në Kosovë, dy prej tyre kanë shkuar direkt në spital. Nuk kam dashtë të depërtoj në pjesën private të saj. Ajo tani ka filluar të risocializohen, fëmijët e saj kanë filluar të shkojnë në shkollë. Në çdo takim që kisha me të, komunikimi me të vinte dhe u rritke, sepse e ka pasur komunikimin shumë të rënd në fillim”, shprehet Gashi-Bytyqi.

Bashkëshorti i Naxhijes i gatshëm të kthehet në Kosovë, i bindur se lufta ishte kauzë e rrejshme

Avokatja Bytyqi thotë se nuk do ta harrojë kurrë këtë rast, dhe se do të mbetet i veçantë në jetën e saj.

Tregon se burri i Naxhijes gjendet ende në Siri dhe është i gatshëm të kthehet në Kosovë, pasi që është bindur se udhëtimi për të luftuar me grupet terroriste, si ISIS dhe Al Qaida, ka qenë kauzë e rrejshme, derisa liderët e këtyre të fundit fshihen në vende komforte, ndërsa ata shkojnë në vijë të parë të frontit për të luftuar.

Por, avokaten më shumë e ka prekur rasti se një nga fëmijët e Naxhijes është me nevoja të veçanta.

“Rasti i klientës time do të mbet gjithmonë një rast i veçantë, ngase njëfarë mënyrë sikur familjarizohet me atë person. Klientja ime ka qenë mjaftë e përmbajtur, natyrisht edhe me këshillat e mia. Dhe me të gjitha fazat e procedurës, me propozimin tim është mbrojtur në heshtje, ngase e ka pasur burrin në Siri, dhe sipas saj, ai është i gatshëm që të kthehet. Nuk di nëse është i lirë apo i burgosur. Dhe për shkak që mos me komplikuar situatën e saj, unë kam preferuar që ajo të mbrohet në heshtje. Pavarësisht rrethanave se si kanë shkuar ato atje, prej nivelit të tyre arsimor, ajo më ka bindur se është e edukuar fetarisht, dhe asnjëherë që nuk i kthen urdhrat e burrit. Ato ju kanë bindur atyre”, thotë ajo për Front Online.

Zeka: Kosova e ka për obligim kthimin e kosovarëve nga Siria

E, rastin e ngjashëm me Naxhijen, e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë qytetarë të shumë të Kosovës.

Disa janë kthyer në Kosovë dhe janë riatdhesuar, e disa ende po qëndrojnë në zonat e konfliktit.

Për planifikimin e kthimit të një grupi tjetër nga Siria, Front Online, ka raportuar ditë më parë.

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme(MPB), Izmi Zeka, ishte pyetur nga “Front Online” lidhur me informacionet se shteti i Kosovës është duke u përgatitur për kthimin e një grupi të kosovarëve që gjenden në Siri.

Zeka nuk ka dhënë informacione lidhur me këtë çështje derisa thotë se e kanë obligim kthimin e kosovarëve nga Siria.

“Ju i dini deklarimet publike të institucioneve të Republikës së Kosovës, atje ka njerëz që kanë shkuar në Siri, ne kemi për obligim që t’i sigurojmë ata që kthehen, kjo është një çështje e brendshme e diskutimit të brendshëm shtetëror, por edhe me vendet tjera, ne si institucione të Republikës së Kosovës jem duke u marrë me këtë çështje. Për detaje tjera do të informoheni me kohë, pasi që rruga për Siri është një rrugë pa krye ku shkuarja atje bie ndesh me të gjitha konventat ndërkombëtare”, tha ai.

Ibishi: Institucionet të tregohen të vëmendshme, ka rrezik nga ideologjia

Në prill të vitit të kaluar, 110 qytetarë të Kosovës, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë janë kthyer nga Siria në Kosovë.

Të kthyerit në Kosovë, kanë udhëtuar për në Stamboll, ku përmes Republikës së Turqisë kanë hyrë në shtetin Islamik në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS.

Shikuar nga një këndvështrim tjetër, të kthyerit nga zonat e konfliktit në Siri, mund të paraqesin rrezik permanent për qytetarët dhe vendin. Rreziku qëndron tek ideologjia e marrë në vatrat e luftës.

Për ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishin, Kosova është e rrezikuar nga përhapja e ideologjisë së personave të kthyer përmes rrugëve tjera alternative.

“Kapacitetet e kufizuara të Kosovës e bëjnë shumë më të brishtë mundësinë që personat e kthyer të deradikalizohen apo të riintergrohen në shoqëri, për arsye e se siç po e shohim, ata nuk po heqin dorë prej dukjes së tyre, ideologjisë, por as prej ndikimit që ata e kanë tek rrethi shoqëror. Unë e shoh rrezikun e vazhdueshëm.”, tha Ibishi për “Front Online”.

Krahas kësaj ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të vëmendshme karshi zvogëlimit të indoktrinimit të këtyre personave duke i rehabilituar ata në shoqëri.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të vëmendshme që në një formë ta zvogëlojnë indoktrinimin të këtyre shtresave, dhe normal edhe rehabilitimin e tyre në shoqëri. Realisht po rrezikohemi pasi që ata po vazhdojnë me atë ideologji, dhe me veshjet e tyre si dhe sistemin e tyre të jetës. Kjo tregon se ata janë përkrahës të asaj ideologjike. Ka me qenë rrezik”, theksoi ai për Front Online.

Sipas ekspertit të sigurisë, për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit fetar, organet përgjegjëse të vendit, ende nuk posedojnë kapacitete të mjaftueshme nga aspekti i sigurisë po ashtu edhe nga ai financiar.

Hajzeri: Atje mbizotëron terrori, u dhunuan gratë dhe vajzat

“Pjesëmarrja në këto luftëra është në kundërshtim me parimet themelore të fesë islame”, thotë Imami Zuhdi Hajzeri nga Qendra Evropiane për Studime të Anti Terrorizmit dhe Inteligjencës në Gjermani – Holandë.

Hajzeri sqaron se vrasja e myslimanëve mes vete, dhunimi i grave dhe dukuri të ngjashme, janë në kundërshtim me fenë islame për të cilën këta pjesëmarrës thirren në zonat e konfliktit.

“Nuk ka asnjë dyshim se është në kundërshtim me parimet themelore islame, sepse atje janë vrarë myslimanet mes vete, atje kanë bërë luftë sektare, është bërë terror. Atje është bërë dhunim grash e vajzash e çka jo tjetër, çdo gjë është bërë në kundërshtim me islamin, asnjë lidhje të vetme me parimet islame nuk e ka”, ka thënë mes tjerash imami nga Peja.

Kthimi i personave nga vatrat e luftës, për Hajzerin po vazhdon të paraqes rrezik për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

“Kosova është në rrezik, ideologjia e rrejshme rrezikon sigurinë në vend”

Sipas imamit, në Kosovë po vazhdojnë të zhvillohen aktivitete të personave me ideologji vehabiste.

Ai thotë se një prej metodave që po qarkullon është edhe botimi i librave me përmbajtje ekstremizmi, e që sipas imamit përhapja e kësaj ideologjie rrezikon dukshëm sigurinë në vend.

“Nuk ka asnjë dyshim se është e rrezikuar madje edhe me shumë se me herët sepse aktivitete janë duke u zhvilluar, por populli po mashtrohet se s’ka aktivitete, derisa një person me ideologji vehabiste financon dhe boton 15 kopje te një libri të një autori terrorist dhe libri shpërndahet falas. Rreziku është i madh sepse ai libër po qarkullon dhe rreziku është se personi i tillë që e boton e financon 15 mijë kopje është i pa punë”, theksoi Hajzeri.

Ai konsideron se përhapja e ideve të tilla, mund të sjellë edhe pasoja të mëdha, pasi personat që janë përfshirë në grupe të trajnuara për të vrarë njerëz, besojnë se nuk po kryejnë kurrfarë vepre penale.

“Nuk ka dyshim se rrezikohet dhe sipas njohësve të shërbimeve inteligjente rreziku më i madh është nga “Ujqit e vetmuar” por edhe nga këta që janë kthyer sepse: Janë të ndikuar nga idetë e grupeve radikale. Ata besojnë se ata janë sekti fitimtar. Ata besojnë se ringjallja e kalifatit është detyrë e tyre , besojnë se paratë, gjaku dhe nderi e morali i atyre që nuk pajtojnë me ta janë të lejuara për ata. Ata jetojnë në izolim fetar dhe juridik. Janë grupe të trajnuara për të vrarë dhe përhapur urrejtje dhe brutalitet, kanë aftësinë për të prodhuar një shumicë njerëzish që ju besojnë. Të kthyerit nga vendi i konfliktit nuk besojnë se ata kanë kryer një vepër penale”, ka thënë Hajzeri.

Në krahasim me vendet tjera evropiane, Hajzeri pohon se institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë adekuate dhe serioze për të kthyerit nga Siria.

Granatat na vinin mbi kokë, përjetuam tortura e martesa të pa dëshiruara

Përmes një rrëfimi, në kushte anonimiteti një grua 43-vjeçare nga Prishtina, ka rrëfyer torturën e tmerrin që ka përjetuar në Siri, e gjithë kjo nga mashtrimi që ia bëri bashkëshorti.

Rrëfen se si u mashtrua për një jetë më të mirë, e që në realitet i doli ferr i vërtetë.

Ndihet e penduar, ngase atje u detyrua ta martojë edhe vajzën e madhe pa dëshirën e saj.

“Kur kam ardhur në Kosovë bashkë me fëmijët, unë si një 42 vjeçare kam qenë e traumatizuar. Tërë kohën kam folur vetëm për luftë dhe për jetën e vështirë që kam pasur atje nëpër kampet në Siri. Ka qenë situatë shumë e rëndë, kemi qenë të rrezikuar në çdo moment. Granatat çdo moment na vini mbi kokat tona. Nuk e kam pasur idenë që kemi me u kthyet në Kosovë, kam shkuar në UNHCR dhe na kanë marrë direkt e na kanë sjellë”, tregon ajo.

Familjen e saj e kishte njoftuar pak para se të nisej për në Siri.

Për këtë vendim të saj, ajo thotë se u detyrua nga presioni që ia bëri bashkëshorti i saj për të cilin thotë se nuk dëshiron të flasë.

“Para dy vjetëve burri im ka shkuar në Siri. Ai më ka kërcënuar dhe më ka bërë presion që bashkë më katër fëmijët që t’i bashkohem atij në vatrat e luftës. Në vitin 2015, në ditën kur kam udhëtuar përmes Turqisë në Siri, e kam njoftuar familjen time se do të shkojë në Siri të burri bashkë me tri vajzat dhe djalin. Njëra prej vajzave, tani e moshës 23 vjeçare është martuar gjatë qëndrimit në kampet në Siri me një shqiptar nga Shkupi dhe burri i saj nuk dihet a ka vdekur apo është i gjallë”, rrëfen tutje ajo.

Bashkë me vajzën e hoqën burkën pasi u kthyen të zhgënjyera nga Siria

Tregon se pasi u kthye nga Siria vendosi që bashkë me vajzën e madhe, ta heqin burkën.

Por, problemi qëndron tek vajza e dytë e saj, e cila si shkak i këtij gabimi për të marrë rrugën për në Siri, tani përballet me agresivitet e sjellje jo të mira.

“Unë bashkë me vajzën e madhe e kam heqë burken. Vajza e dytë e moshës 20 vjeçare vazhdon ta mbajë burken dhe shpeshherë ka sjellje agresive”, thotë ajo.

Në rrëfimin e saj për Front Online, kjo grua e përmend ende lidhjen që kanë më dikë në Siri e që i mban të informuar për të afërmit e tyre, por pavarësisht insistimit nuk tregon se me kë komunikojnë.

“Na nuk folim direkt me ta, mirëpo dikush prej atje na tregon se ata janë të gjallë”, thotë gruaja.

Në Irak dhe Siri gjinden rreth 100 qytetarë nga Kosova

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Terrorizmit ka qenë e angazhuar që përmes hetimeve dhe rrugëve tjera operative të mbledhë informacione lidhur me personat të cilët kanë qenë në zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Në një pergjigje për Front Online, Policia thotë se aktualisht në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak gjinden rreth 100 kosovarë.

“Bazuar në të dhënat që posedon Drejtoria Kundër Terrorizmit, aktualisht në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak gjinden rreth 100 persona nga Kosova, ose të lindur në zonën e konfliktit së paku nga njëri prind kosovar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas policisë, Drejtoria Kundër Terrorizmit në vazhdimësi mbledh informacione dhe prova për persona të dyshuar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në organizata terroriste.

Traumat e marra në Siri, shkaktojnë pasoja shumëvjeçare

Gjendja psikologjike e pjesëmarrësve në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, nga psikologët po konsiderohet të jetë me pasoja të rënda.

Për psikologun Besnik Pecin, fëmijët dhe të rriturit të cilët i janë ekspozuar zonave të konfliktit, edhe për një kohë të gjatë do të përcillen me traumat që i kanë marrë nga atje.

Ai për thotë se ngjarjet që këta persona i kanë përjetuar në vatrat e luftës, mund të manifestohen edhe më tutje me sjellje jo të mira të cilat mund të kenë pasoja të mëdha.

“Fëmijët apo të rriturit të cilët i janë ekspozuar vatrave të luftës, janë persona të cilët faktikisht janë në një gjendje stresi, kanë ngarkesë të madhe edhe kanë elemente serioze të traumës. Kanë nevojë më i mbështet ata, që me u riintegru më shpejt në shoqëri si dhe me ua ofruar shërbimet psikologjike për ta mirëmbajtur shëndetin e tyre mendor. Ekziston një rrezik shumë i madh që gjërat dhe sjelljet që i kanë parë atje, me i manifestuar edhe këtu, dhe mund të ketë pasoja mandej”, ka theksuar Peci.

Ai e sheh si një domosdoshmëri procesin e trajtimit me shërbimet e duhura të shëndetit mendor.

Trajtimi profesionist që këta persona duhet të marrin, sipas Pecit mund të marrë kohë të gjatë.

“Një person me këso trauma zakonisht trajtohet gjatë 12 seancave, mirëpo ka raste kur mund edhe të vazhdojë më shumë, ndodhë edhe me vite që duhet të trajtohet për shkak se nuk kalon aq lehtë. Varet edhe prej qasjes që terapeutisti e përdorë për me trajtuar një rast të tillë. Trajtimi mund të marrë kohë prej 12 seancave deri me vjet”, ka thënë Peci për Front Online.

Përndryshe, pas disfatës së madhe që ka pësuar grupi terrorist i ISIS-it, liderët e organizatës tjetër terrosiste Al Qaida po dërgojnë vazhdimisht mesazhe për unitet dhe vazhdimësi.

Ekspertët ndërkombëtar kundër terrorizmit kanë vlerësuar se liderët e këtyre organizatave terroriste janë më të dobtë se kurrë, kontradiktor dhe dëshirojnë terror konstant, pasi që, siç kanë thënë ata, nuk mund të jetojnë në paqe.