Rrëfim prekës, Qemajl Koca: Unë nuk e vrava Ermal Kamberajn, ma tmerruan familjen (Video)

E publikuar: 08/05/2017 01:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lajmi për vrasjen e Ermal Kamberajt në natën e 5 Majit në vendin e tij të punës, ishte përhapur shumë shpejt në opinionin kosovar, e veçanërisht në Mitrovicë.

Mos efikasiteti i policisë për ta kapur dorasin dhe mos publikimi i identitetit të tij për 24 orë, kishe bërë që përmes rrjeteve sociale në Mitrovicë si doras të etiketohej një person krejt i pafajshëm në këtë rast.

Fjala është për Qemajl Kocën, i cili në natën kritike sikurse edhe 400 persona të tjerë, kishte qëlluar të jetë mysafir në lokalin ku ndodhi vrasja, e që të premten do të performonte Labinot Tahiri, për çka kishte bërë të kishte tollovi në lokal.

Koca në një rrëfim ekskluziv për Veriu.info ka treguar se nuk ka lidhje me vrasjen dhe se dikush në rrjete sociale kishte përhapur lajmin se ai është dorasi, për çka e kishte bërë të ndjehej shumë keq dhe kishte shkaktuar panik të ai dhe familja e tij.

“Nuk është e vërtetë se është janë dorasi, ma kanë qit këtë punë, më kanë flliq, por kjo nuk është e vertetë. Unë Ermalin e kam njoft dhe jam kanë në lokal atë natë, të shtënat i kam dëgju, por vetëm i kamë parë njerëzit duke ikur dhe e kam parë Ermalin, pastaj kemi dalë krejt përjashta. Unë nuk kam të bëjë me këtë punë, ju përgjigjem me krejt familjen dhe jam në gjendje me dëshmu vehten. Ju lutem të gjithëve me zbulu se kush ka thënë për mua ashtu dhe pse me thanë për mua ashtu, sepse nuk jam unë njeri që bëjë asi sene”, tregon Koca për Veriu.info, derisa bënë të ditur se policia nuk e ka marrë në pyetje për këtë rast.

“Jam dalë në qytet dhe jam ardh sot në protestë, krejt njerëzit t’u më kçyr, nesër më shkon djali në shkollë, thojnë kçyr djali i vrasësit. Ma kanë tmerru familjen. Unë kurrë të keqe s’kam pas me Ermalin, ai u kanë shumë djalë i mirë, na ka prit tanëve mirë. Mua më kanë thirr shokët dhe vëllezerit prej Evrope, pasi që deri atje kanë ni njerëzit që kanë thanë për mua, unë jam tmerru. Ju lutem me marrë masa për këtë punë, unë kam me i akuzu krejt, kush ka thanë ashtu për mua, kam me lyp avokatin e popullit, sepse jam i gatshëm me krejt familjen të dëshmoj se unë nuk kam asgjë të bëjë me këtë punë. Unë dua ta dëshmoj vetën se jam i pafajshëm në këtë punë edhe dua me ditë kush ka thënë për mua ashtu”, thotë Qemajl Koca për Veriu.info.

Koca thotë se nuk e ka parë personin që e ka vrarë Ermal Kamberajn.

“Të shtënat i kam dëgju, por nuk e kam parë kush e ka vrarë. Ka pas shumë njerëz, por janë shpërnda. Unë jam kanë te pjesa VIP, por kur kam zbrit poshtë e kam parë Ermalin të shtrirë në tokë dhe nuk iu kam afruar, sepse kërkush nuk iu afronte, edhe jena dalë tanë prej lokalit, më asgjë nuk kam ditë. Të nesërmen si jam zgjuar në mëngjes jam dalë në qytet, krejt njerëzit më shikonin dhe më kanë thirr shokët ku më thonin: ‘Qemë po thojnë për ty’, unë jam tmerru. Ka mujt familjarët e tij me dalë në mua me marrë hak, pa bërë asgjë”, rrëfen Qemajl Koca.

Ndryshe, tek mbrëmë mediat e kanë publikuar një dokument të brendshëm të Policisë së Kosovës, ku bëhej e ditur se i dyshuar për vrasjen e Ermal Kamberajt është Sadik Bajrami nga Shipoli i Mitrovicës, i cili ndodhet në arrati.