Rrëfim: Ditëlindja e dhimbshme e Arianit Kocit

E publikuar: 24/03/2015 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

24 marsi i vitit 1999 ka qenë ditë e veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s. Secili qytetarë e ka rrëfimin e tij, por disa prej këtyre rrëfimeve janë tejet të veçanta. I veçantë është edhe rrëfimi i avokatit Arianit Koci që atë ditë ka pasur edhe ditëlindjen.
“Është ditëlindja e vetme të cilën nuk e kam festuar”, ka thënë Koci në një rrëfim për Ripost.

Avokati shpjegon se ka pasur dilema të mëdha nëse do t’i duhej të qëndronte në Kosovë apo të ikte në Maqedoni siç po bënin shumë qytetarë. “Rreth orës 11 të ditës e kam thirrur Kastriotin (djalin e avokatit Bajram Kelmendi v.j.) dhe i kam thënë se a e ka ndërmend të vijë në Maqedoni. Më ka thënë se do të qëndrojë në Prishtinë”, ka treguar Koci.

Orë më vonë avokati që atë ditë kishte edhe ditëlindjen ishte nisur për në Maqedoni. “Kam pasë shumë peripeti. Vajza ka qenë 11 muajsh dhe ajo ishte arsyeja kryesore pse insistoja që të arrija në Shkup. Ja dola disi krejt vonë gjatë natës”, ka thënë Koci.
“Me të arritur në Shkup, gjatë natës, më ka telefonuar Vjollca dhe më ka thënë se Kastriotin, vëllanë e tij Kushtrimin dhe babain, avokatin Bajram Kelmendi i kishin marrë për t’i ekzekutuar”, ka rrëfyer Koci.

Arianit Koci ka qenë mik i mirë i njërit prej djemve të avokatit të njohur Bajram Kelmendi. Ai së bashku me dy djemtë e tij në natën e parë të bombardimeve janë marrë nga shtëpia dhe janë ekzekutuar në një vend tjetër. Bajram Kelmendi ka qenë një prej aktivistëve më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe simbol i rrezistencës ndaj Millosheviqit.