Rrëfen njëri nga pasagjerët e autobusit që u rrokullis në Serbi: Dëgjova shumë britma

E publikuar: 02/05/2018 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Kurshumli, një autobus që udhëtonte nga Lubjana e Sllovenisë për në Kosovë, u aksidentua. 9 kosovarë mbetën të lënduar, tre prej tyre rëndë. Gazeta Express ka arritur të kontaktojë njërin nga pasagjerët që ishte në autobus dhe ai tregoi detajet se si ndodhi aksidenti
Gentian Aliaj ishte njëri nga pasagjerët e këtij autobusi që u rrokullis në mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 04:50.

Ai tregoi për Gazetën Express se kur është rrokullisur autobusi, ai ka qenë në gjumë, por më pas është zgjuar dhe ka dëgjuar ulërima.

“Po për fat kur ka ndodhur aksidenti unë isha në gjumë, kam dëgju bërtima e ulërima”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Aliaj tregoi se nga ky aksident janë lënduar 9 persona, derisa në autobus ishin pothuajse 15 pasagjerë.

Megjithatë, ai nuk është lënduar dhe tani gjendet në shtëpi.


“Jo unë për fat të mirë kam pshtu pa lëndime t’rënda. Tash jam në shtëpi”, tha Aliaj.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, dhe kanë treguar se tre kosovarë janë të lënduar rëndë.

“Deri më tani, tre qytetarë janë të lënduar rëndë, ndërsa pjesa tjetër pas trajtimit me ndihmë të parë janë liruar nga spitali”, tha MPJ për Express.

Gazeta Express ka kontaktuar me kompaninë e autobusit “R-Gashi”, të cilët thanë se nga ky aksident është lënduar vetëm shoferi, ndërsa pasagjerët tjerë janë rrugës duke u kthyer për në Kosovë, me një autobus të ri.

Autobusi i kompanisë “R-Gashi” ka dalë nga rruga në drejtim të Nishit, që po vinte për në Kosovë. Mediat serbe raportojnë se shoferi ka humbur kontrollin e autobusit dhe ka rrëshqitur jashtë rrugës. /Express/