Rrecaj: Hetimi do të pushojë, Prokuroria s’ka prova kundër Limajt

E publikuar: 28/10/2016 14:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tahir Rrecaj, avokati mbrojtës i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili të premten u akuzua nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullatës civile, tha se hetimi do të pushojë, pasi Prokuroria s’ka prova kundër Limajt.

Rrecaj në një përgjigje për KlanKosova.tv, ka thënë se aktakuza e re e Prokurorisë Speciale i ka gjetur të habitur dhe se në aktakuzën e re, nuk ka asgjë të vërtetë.

“Prokuroria do ta pushojë hetimin në mungesë provash. Deri më tash Limaj ka dhënë dy deklaratë në praninë time dhe është sqaruar nga ana e tij. Limaj në kohën kur kanë ndodhur vrasjet nuk ka pasur një përgjegjësi komanduese. Prokuroria thjesht nuk ka prova dhe aso kohe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ende në formim. Edhe ndjemi habitur me këtë aktakuzë”, ka thënë Rrecaj, për Klankosova.tv.

 Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur edhe një aktakuzë për krime lufte kundër deputetit të Kosovës nga NISMA, Fatmir Limajt.

Në njoftimin e prokurorisë, thuhet se ai akuzohet për veprën penale, “Krim i Luftës kundër popullatës civile”, dhe rasti gjegjësisht ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se me datë 2 nëntor të vitit 1998, në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë Hoxha dhe Binishi janë marrë dhe më pas janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.