Rrahje në basketbollin kroat: Basketbollisti i Zarës e nokauton kundërshtarin e Splitit

E publikuar: 19/03/2018 02:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një skenë e pazakontë është parë në një ndeshje basketbolli në ligën kroate që u zhvillua ndërmjet KK Splitit dhe Zarës (KK Zadar).

Takimi përfundoi me fitoren e Zarës që ishte mysafire me rezultat 120-88, mirëpo ndeshja përfundoi me vetëm tetë basketbollistë në parket për shkak të një rrahje masive.

(Foto: HRT)

Derisa skuadra mysafire ishte në epërsi 97-66 ndaj vendasve të Splitit, amerikani nga ekipi vizitor, Preston Knowles, e nokautoi lojtarin kundërshtar, Mate Kalajzic.

Përleshja nisi ndërmjet Knowles dhe Pavle Marcinkovic gjatë një sulmi të skuadrës së Zarës.

(Foto: HRT)

Më pas u përfshinë edhe basketbollistët tjerë, sidomos Kalajzic, i cili e pësoi keq kur basketbollisti amerikan e goditi fuqishëm dhe ai u përplas në parket.

Menjëherë pasoi një tollovi e madhe, meqë pas Knowles vrapuan ta sulmonin basketbollistët vendas, sidoqoftë bashkëlojtarët e tij ia dolën ta tërhiqnin për ta penguar që të mos lëndohej.

(Foto: HRT)

Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët e të dyja skuadrave – ai i Zarës, Aramis Naglic dhe ai i Splitit, Ivica Skelin – shprehën keqardhje për incidentin. /Telegrafi/