Rrahim Pacolli: Kisha “serbe” në Prishtinë të shndërrohet në kishë ortodokse shqiptare

E publikuar: 30/04/2015 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrahim Pacolli u ka propozuar institucioneve të Kosovës që kisha “serbe” në Prishtinë të shndërrohet në kishë ortodokse shqiptare duke pasur parasysh siç ka thënë ai, faktin që edhe në Kosovë ka familje që e mbajnë besimin ortodoks fetar.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook ka thënë se konotacioni i gabuar se gjithçka ortodokse është skllave duhet të mposhtet.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

Janë dhënë disa propozime për kishën ”serbe” në Prishtinë, e në fakt deri më tani asnjë nga propozimet nuk më ka pëlqyer dhe as që do të ishte dashtë të bëhen si të tilla. Të gjithë i dimë arsyet keqdashëse millosheviqiane për ndërtimin e saj. Sot, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, po e bëj publik mendimin tim personal lidhur me këtë objekt fetar.

Të gjithë e dimë që populli ynë përfaqëson tri besime si motra, të cilat janë simboli i trungut të shtetit shqiptar. Kisha në fjalë duhet të shndërrohet në kishë ortodokse shqiptare. Ne në trevat tona, e madje edhe në Kosovë, kemi familje që e mbajnë me dashuri këtë besim fetar.

Me këtë rast nuk duhet harruar kontributi kombëtar i patriotit Fan Stilian Noli, i cili pos tjerave ishte ndër themeluesit e kishës ortodokse shqiptare ku vlen të ceket rasti shumë i përfolur në Boston kur Noli “Nokauton” Kishën Ortodokse Greke:

Në Boston, disa të krishterë shqiptarë ishin pjesë e kishës ortodokse greke, gjë e cila u kundërshtua me forcë nga kauza kombëtare shqiptare. Kur një prift ortodoks grek nuk pranoi të kryej ritet e varrimit për Kristaq Dishnica, anëtar i komunitetit shqiptar nga Hudson, Masaçusets, për shkak të aktiviteteve të tij nacionalist, Noli dhe një grup i nacionalistëve shqiptarë në New England, themeluan Kishën e parë Ortodokse Shqiptare të pavarur.

Noli, klerik i parë i kishës së re, u shugurua si prift në vitin 1908 nga një peshkop ortodoks rus në Shtetet e Bashkuara, nën rrethana të diskutueshme. Në vitin 1923, Noli u shugurua si peshkop për Kishën e Shqipërisë.

Konotacioni i gabuar që gjithçka që është ortodokse është sllave duhet të mposhtet. Shqiptarët ortodoks kanë qenë dhe janë degë të trungut tonë kombëtar. U bëj thirrje personale institucioneve relevante që ky propozim i imi si qytetar i lirë i këtij vendi të merret parasysh dhe besoj e shpresoj që kjo që po e them hapur sot, do të gjej mbështetjen e shumë bashkëkombësve të mi./arbresh.info/.