Ronaldo: Do të jetë sezon i sukseseve të mëdha

E publikuar: 04/07/2015 14:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Las Vegasi, vetëm pak ditë përpara nisjes së përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri, ylli i Realit Cristiano Ronaldo foli për aktualitetin madrilen dhe jo vetëm. Në intervistën e tij portugezi fillimisht u ndal te trajneri i ri Rafael Benitez i cili zëvendësoi Carlo Ancelottin në krye të Los Blancos në përfundim të sezonit futbollistik 2014-2015. Edhe pse nuk e njeh mirë Ronaldo u shpreh me fjalët më të mira për tenikun spanjoll.

” Unë nuk kam punuar me të më parë, por Benitez është një trajner me një përvojë shumë të madhe. Mbetet për tu parë sesi ai do të dijë ta menaxhojë skuadrën. Reali i Madridit është klubi më i madh në Botë dhe për fakt gjithmonë do të ketë ndryshime përsa i përket futbollistëve dhe trajnerëve. Personalisht mezi po pres momentin për tu punuar me Rafa Benitezin. Ne shpresojmë shumë se me të në drejtim do të fitojmë disa tituj. Unë jam besimplotë se sezoni i ri do të jetë ai i sukseseve të mëdha për Realin e Madridit”.

I pyetur nga gazetari për një largim të mundshëm të Sergio Ramos nga Reali i Madridit me destinacion të ri Manchester United, Ronaldo u përgjigj.

” Nuk di asgjë rreth kësaj cështjeje. Nëse ju dini dicka është mirë të ma thoni, sepse unë nuk di absolutisht asgjë”.

Në fund 3-herë fituesi i Topit të Artë dha një mendim edhe për Steven Gerrard që vendosi ta vijojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Los Angelos Galaxy, ndërkohë që Cristiano nuk iu përgjigj pyetjes për një të ardhme të mundshme të të tij në MLS.

” Mendoj se Gerrard ka bërë zgjedhjen perfekte. Ai është një lojtar fantastik ka patur një karrierë shumë të suksesshme në Europë dhe tani do të luajë në Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se kjo është dicka e mrekullueshme për tifozët amerikanë, ju do të shijoni klasin e një futbollisti të madh”.