Romancat në vendin e punës, një gjë e zakonshme, por shumë e sikletshme

E publikuar: 07/06/2015 02:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse kolegët e marrin vesh për një romancë të fshehtë në zyrë, atëherë fillojnë thashethemet që mund t’ua vështirësojnë jetën të dyve. Shumë pikëpyetje e dilema ngjallen në një situatë të tillë.

Prandaj në këtë artikull po ju sjellim disa këshilla se si të silleni në rast të një romance në punë.

Mos e shfaq lidhjen hapur që në fillim
Në fillimet e flirtimit dhe të romancës, atëherë kur marrëdhënia juaj nuk ka marrë një drejtim konkret, mundohu që lidhja juaj mos të shkojë në vesh të punëdhënësit apo të tjerëve. Shumë kompani kanë politika të rrepta lidhur me marrëdhëniet në vendin e punës. Por nëse kompania është më liberale në këtë aspekt, tregohu e matur dhe prit momentin e duhur para hapit të radhës, pasi një flirt në zyrë mund të të kushtojë edhe vendin e punës.

Mos flirto hapur në orarin e punës
Edhe në rast se ju mund të keni vendosur ti tregoni për lidhjen tuaj kolegëve, kjo nuk do të thotë se duhet të flirtoni hapur në vendin dhe orarin e punës. Tregohu e kujdesshme pasi zyra është vendi ku punohet. Pas orarit të punës je e lirë të vazhdosh romancën apo lidhjen tënde normalisht.

Tregoji kompanisë për lidhjen nëse ajo është serioze
Nëse marrëdhënia juaj e ka kaluar fazën e romancës dhe ka marrë një formë serioze dhe ju keni vendosur të bashkëjetoni apo të fejoheni, atëherë është koha t’ia tregoni këtë fakt Kompanisë. Do të ndiheni shumë më të qetë të dy dhe mund të shijoni lidhjen tuaj normalisht.

Ndaj kufijtë mes punës dhe jetës personale
Një nga problemet kryesore që sjell lidhja brenda së njëjtës kompani është përballja me të dashurin i cili njëkohësisht është edhe kolegu yt. Megjithëse nuk është aspak e lehtë, tregohu e matur dhe përpiqu të vendosësh kufij midis jetës profesionale dhe asaj personale për të mos dëmtuar njëra-tjetrën.

Mendo një strategji në rast ndarjeje
Ndodh që romanca apo lidhja juaj të përfundojë. A e ke menduar këtë? Ti duhet të jesh gati edhe për një moment të tillë, pasi nëse ndodh nuk do të jetë aspak e lehtë të dëgjosh tërë ato thashetheme lart e poshtë që bëhen pas kurrizit tënd. Nëse puna për ty është e rëndësishme, atëherë bëhu e fortë ta përballosh këtë ndarje, megjithëse mund të ndeshesh shpesh me ish-in. Por nëse ka alternativa për të filluar punë në një vend tjetër, edhe kjo mund të jetë një zgjidhje.