Roma nënshtron CSKA Moskën

E publikuar: 23/10/2018 23:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Roma ka regjistruar fitore bindëse (3-0) kundër CSKA Moskës, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.

Pas gjysmë ore lojë, Edin Dzeko e ndezi atmosferën në Stadio Olimpico duke e zhbllokuar rezultatin (30′).

Pa përfunduar pjesa e parë (43′), sulmuesi boshnjak e dyfishoi epërsinë duke e dërguar skuadrën e tij në pushim me avantazh të sigurt.

Festa e lojtarëve të Romës pas golit të Dzekos (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Në gjysmën e dytë, nikoqirët shënuan edhe një tjetër gol. Realizues ishte Cengiz Under (50′), i cili u asistua nga Dzeko.

Kjo ishte fitorja e dytë e Romës në Grupin G, ku ka pësuar edhe një humbje. Me gjashtë pikë të arkëtuara Giallorossët pozicionohen në vend të dytë në tabelë me pikë të barabarta me Real Madridin.

Për CSKA Moskën kjo ishte humbja e parë, ndërsa ka arritur edhe një fitore dhe një barazim dhe mban vendin e tretë me katër pikë.

Ndeshja e radhës do të zhvillohet pikërisht ndërmjet këtyre skuadrave, por këtë herë loja zhvillohet në kryeqytetin rus. /Telegrafi/