Rojat e Badovcit janë paralajmëruar javë më parë për rrezikun nga ISIS-i

E publikuar: 14/07/2015 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Patrullimet e dy veturave të kuqe me persona me mjekra të gjata, si dhe paralajmërimi që ua kishte dhënë shefi i tyre dy javë më parë se persona të organizatës terroriste ISIS mund ta sulmojnë Badovcin, kishin bërë që dy rojat e natës të këtij liqeni të alarmonin kompaninë e tyre.

Me të kuptuar nga rojat se persona të dyshimtë po silleshin afër liqenit, kompania e sigurimeve “Rosa” kishte kontaktuar Policinë, njësia patrulluese e së cilës kishte shkuar shpejt në vendin e ngjarjes, shkruan ‘Koha Ditore’.

Aty kishte gjetur Enis Latifin dhe djalin e axhës së tij, Besnik Latifi, që të dy nga Vushtrria, si dhe Milazim Haxhiajn nga Istogu. Vetëm pas arrestimit të këtyre ishte kuptuar se së bashku me këta të tre ishin edhe Gazmend Haliti nga Hajvalia dhe Fehmi Musa, të cilët më pas u arrestuan në shtëpitë e tyre.

Që të gjithë u arrestuan mbi dyshimin se kishin planifikuar një akt që ndërlidhet me veprën penale të terrorizmit. Mbi bazën e këtyre dyshimeve dhe duke aprovuar si të bazuara pretendimet e prokurores speciale, Drita Hajdari, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë ua ka caktuar që të pestëve masën e paraburgimit për një muaj.

“Masa e paraburgimit iu është caktuar, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës’”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.