Rodgers: Kur kisha infektimin nga koronavirus, nuk mund të ecja as 10 metra

E publikuar: 29/05/2020 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Brendan Rodgers ka bërë të ditur se kishte dalë pozitiv në testimin për coronavirus në muajin prill, duke u bërë kështu trajneri i dytë pas Mikel Artetas që konfirmon se e ka pasur sëmundjen.

Trajneri i Leicester Cityt ka rrëfyer se kishte filluar të mos ndihej mirë dy javë pas pezullimit të kampionatit anglez, ndërsa i kishte humbur ndjenjën e shijes dhe nuhatjes, si edhe kishte pasur dispne (frymëzënie) akute.

(Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

“Më e çuditshmja ishte nuhatja dhe shija. E han darkën dhe nuk mund të shijosh as nuhatësh asgjë. Kjo ishte gjëja më e madhe”.

“Pastaj e humb forcën. Nuk mund të ecësh as 10 metra pa u mbushur frymë. Më është dukur njësoj si kur jam ngjitur në Mount Kilimanjaro në vitin 2011. Kur arrin në një lartësi të caktuar, ecën dhe e ke të vështirë të marrësh frymë”.

“Herën e parë kur u përpoqa të ushtroj, nuk mund të vrapoja as 10 metra. Vërtet më rrëzoi, por fatmirësisht nuk ishte aq serioz sesa te shumë njerëz të tjerë”.

“Kokëdhimbja, është ndryshe. Kokëdhimbja që kisha, ishte e izoluar në njërën anë të kokës. Mendova: ‘Nëse nuk e kam, çfarë mund të jetë kjo’, prandaj e bëmë testin”.

“Gruaja ime filloi t’i vërente efektet rreth një javë pas meje. Thjesht e dinim se duhej ta kishim. Fatmirësisht arritëm t’i bënim disa teste, 21 ditë pasi unë kisha filluar të ndihem keq. Kur i bëmë testet zbuluam se i kishim antitrupat”, ka rrëfyer 47-vjeçari për BBC