Robert Burke, komandanti i ri i Forcave të Përbashkëta në Napoli

E publikuar: 17/07/2020 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Admirali Amerikan Robert P. Burke sot u bë Komandanti i 31-të i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, nga e cila varet KFOR-i, si pasardhës i Admiralit James G. Foggo.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, admirali Burke gjithashtu merr përsipër rolet e Komandantit të Flotës Detare të SHBA-së në Evropë dhe të Flotës Detare të SHA-ve në Afrikë.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, Gjenerali Tod D. Wolters, kryesoi ceremoninë.

“Duke shprehur mendimet e tij për largimin nga Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiral Foggo tha: “Falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë stafin e Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, familjet tuaja dhe nikoqirët e mi të dashur italianë që e bënë kohën time në komandë në këtë vend të mrekullueshëm aq të dobishme: ka qenë nderi më i madh i jetës sime. Ne kemi arritur shumë dhe misioni ynë do të vazhdojë, i bashkuar si një familje e NATO-s. Ne vërtet jemi më të fortë së bashku. Gjithë të mirat në rrugëtimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Gjatë fjalimit të tij të parë Admirali Burke tha se merrja e komandës së Flotës Detare të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli është një privilegj i vërtetë.

“Jam i nderuar që pranoj mantelin e përgjegjësisë nga Admirali Foggo dhe mezi pres që të punojmë së bashku me Aleatët dhe partnerët e NATO-s, gjersa ne vazhdojmë të parandalojmë dhe, nëse është e nevojshme, të mbrojmë Aleancën tonë në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë.”

Ceremonia e Ndërrimit të Komandës u krye në përputhje me kufizimet e COVID-19, duke përfshirë pjesëmarrjen e zvogëluar, praktikimin e distancës sociale dhe teknologjive, siç janë video-telekonferencat, të përdorura në përputhje me dekretet italiane dhe për të mbajtur personelin dhe familjet e tyre të sigurt./kp/