Rimëkëmbja ekonomike, e varur nga vaksinimi

E publikuar: 03/01/2021 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se rimëkëmbja e ekonomisë së vendit varet nga kohëzgjatja e krizës së pandemisë.

Autoritetet qeveritare kanë theksuar se presin që viti 2021 të jetë vit i shërimit të ekonomisë, duke mbështetur shpresat në vaksinimin e popullatës.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore në Maqedoninë e Veriut, Petar Goshev, thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza e pandemisë ka prekur në forma të ndryshme sektorët e ndryshëm të ekonomisë, dhe në bazë të kësaj duhet ofruar dhe kura për shërim.

“Deri kur do të zgjasë kjo (pandemia) kjo është çështja thelbësore sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë. Në bazë të cilës dinamikë mund të themi se ekonomia do të arrijë të marrë veten? Nëse përfundon shpejt, atëherë ekonomia do të mund të themi se për një kohë më të shpejtë mund të kthehet në kapacitetin e mëhershëm, atë para fillimit të krizës së shkaktuar nga pandemia përkatësisht më 2019. Kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, kjo vlen për të gjitha vendet në botë”, thotë Goshev.

Ndërkaq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, për vitin 2021 parasheh dy skenarë, atë optimist në bazë të të cilit rritja ekonomike do të arrijë në 4,1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor dhe atë më pesimist me ç’rast rritja ekonomike gjatë 2021-s do të jetë 2.5 për qind.

“Qëllimi ynë kryesor është që, në planin afatmesëm, të përshpejtojmë rritjen ekonomike nga 2 deri në 2.5 për qind në dekadën e fundit në 4 deri në 5 për qind rritje mesatare vjetore në pesë vitet e ardhshme”.

“Ne, këtë besojmë ta arrijmë përmes Strategjisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar – SmartER Growth pjesë integrale e së cilës është edhe buxheti i vitit 2021″, thekson Besimi.

Ai thotë se “rimëkëmbja ekonomike nga COVID-19 do të zbatohet përmes masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjen sociale të kategorive më të rrezikuara, si dhe mbështetjen për ekonominë, sektorin privat dhe mbrojtjen e punës”.

Nga ana vjetër, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se bizneset tashmë kanë filluar t’u përshtaten kushteve që ka imponuar pandemia e koronavirusit, megjithatë ai thekson se për një rimëkëmbje serioze mund të shpresohet vetëm pasi vaksina të arrijë të stabilizojë gjendjen shëndetësore.

“Në prizmin e biznesit, viti 2021 pritet që të paktën në kuartalin e tretë të fillojë mëkëmbja ekonomike, pasi në dy kuartalet e para do të jetë periudha e stabilizimit të gjendjes ekonomike dhe shpresojmë se kuartali i tretë do të jetë ai që do të shënojë rritjen e Bruto Prodhimit Vendor”, thotë Iseni.

“Sfidat që do të jenë për vitin 2021, përfundimisht kanë të bëjnë me likuiditetin e kompanive. Sfidë tjetër do të jetë dhe deficiti buxhetor pasi ana e shpenzimeve është relativisht shumë e lartë krahas të hyrave në arkën e shtetit. Pastaj sfidë për ekonominë gjatë vitit 2021 është dhe transformimi i bizneseve në përputhje me rrethanat e reja që ka imponuar COVID- 19”, shton ai.

Biznese të suksesshme në kushte pandemie

Në kushte të pandemisë ka dhe biznese, të cilat paraqesin dhe histori suksesi, pasi kanë arritur t’u përshtaten kushteve që imponoi kriza e koronavirusit.

Menderes Kuçi, afarist, thotë për Radion Evropa e Lirë se situatat e krizës i sheh si shans, përvojë nga e cila duhet nxjerrë mësim, duke shtuar se kriza e pandemisë ka ndryshuar shumëçka në menaxhimin e biznesit.

“Unë dhe shumë biznesmenë si unë, gjithmonë situatat e krizës i shohim si shanse dhe jo si fatkeqësi dhe si një përvojë nga e cila duhet mësuar. Ne duhet të mësojmë të kursejmë. Gjithmonë duhet pasur një vizion, një strategji të hapjes së tregjeve të reja. Nëse sot mbyllet një biznes këtu, nuk do të thotë se është bërë fundi i botës. Do të duhet të mendohet për hapjen e filialeve në vende të tjera ashtu siç kam bërë unë me zgjerimin e biznesit në Gjermani, e dikush tjetër në Norvegji. Me një shpresë që nesër apo pasnesër të njëjtin biznes, por me përvoja të vendeve evropiane ta etablojmë këtu në Maqedoninë e Veriut”, thotë Kuçi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2020 ka miratuar katër pako në vlerë prej më shumë se një miliard euro për zbutjen e pasojave që pësoi sektori i biznesit nga kriza e pandemisë. Për këtë arsye Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori hua prej rreth një miliard euro duke thelluar kështu borxhin publik në 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Autoritetet qeveritare kanë paralajmëruar se sektori i biznesit do të ndihmohet me një paketë masash anti-krizë edhe gjatë vitit 2021, ndërsa për detajet do të diskutohet pas festës së Krishtlindjes Ortodokse, se cilët sektorë mbeten më të prekur dhe kanë nevojë për ndihmë që të mbijetojnë në këto kushte të krizës.