Rimeçi ndërmjet Mayweather dhe Pacquiao mund të ndodhë gjatë këtij viti

E publikuar: 21/01/2019 01:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao do të ndeshen përsëri edhe atë gjatë këtij viti. Kështu ka thënë komentatori i njohur i BBC, Mike Costello.

Dy boksierët veteranë u ndeshën në maj të vitit 2015, ndërsa meçin e fitoi amerikani i pamposhtur me vendim unanim të gjyqtarëve.

Dueli i parë ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Meçi ndërmjet tyre ishte etiketuar si “duel i shekullit”, ndërsa tifozët do të dëshironin t’i shihnin sërish në ring.

Filipinasi triumfoi këtë fundjavë kundër Adrien Broner, ndërsa Mayweather ishte i pranishëm në Las Vegas për ta shikuar duelin nga afër.

Pacquiao e ka ftuar rivalin e tij të vjetër që të zhvillojë një rimeç, në mënyrë që t’i hakmerret për humbjen e pësuar.

“I thoni të kthehet në ring dhe të ndeshemi. Do të doja të ndeshem sërish me Floyd Mayweather – nëse është i gatshëm t’i kthehet boksit”, ka deklaruar Manny për Showtime.

Dueli i parë ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Ndërsa pasi e ka analizuar gjithë situatën, Mike Costello beson se Pacquiao e ka në plan të bëjë gjithçka për ta realizuar rimeçin me Mayweather.

“Ai tha se është i hapur për rimeçin me Floyd Mayweather. Mayweather fitoi kur ata u ndeshen në vitin 2015, ndoshta është dashur të ndesheshin më herët”, është shprehur Costello për Radio 5Live.

Më pas, gazetari i BBC Radio 5 Live, Jonathan Overend, e ka pyetur se a e parashikon se një rimeç mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Dueli i parë ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

“E parashikoj dhe mendoj se do të ndodhë gjatë këtij viti. Dua të them, dueli i vitit 2015 gjeneroi 60 milionë dollarë (53 milionë euro) dhe duke folur me njerëzit e boksit, si Bob Arum, promovuesin e madh, i cili ishte në Londër në javën e kaluar, ai tha se nuk do të jetë e madhe si herën e parë, por do të jetë një përbindësh”, ishte përgjigja e komentatorit Costello. /Telegrafi/