Rikthimi i Al Banos (Video)

E publikuar: 18/09/2016 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 

Më 17 shtator të vitit 1989, ai preku për herë të parë skenën e Pallatit të Kongreseve, së bashku me Romina Power, kur publiku shqiptar e priti në mënyrë madhështore.

Pas 27 vitesh, Albano Carrisi u rikthye në Shqipëri, por nga pritja e asaj kohe, ai që nuk kishte ndryshuar ishte vet këngëtari. Me një timbrikë brilante, ai performoi për publikun shqiptar hitet e tij më të njohura.

27 vite më parë, ai i kërkonte publikut të mpirë nga kënga e tij të këndonte bashkë me të. Të shtunën, Albano kërkoi sërish të njëjtën gjë, por për arsye të tjera.

“Ju prisja 60 mijë sonte këtu, 80 mijë, ndoshta edhe 100 mijë. Por secili nga ju përbën 100 mijë”.

Koncerti ishte paralajmëruar të niste në orën 18:30, ndërsa pas pritjes prej 65 minutash dhe provave të shumta me ndriçimin në skenë, më në fund Albano është shfaqur në orën 19:35, jo pak i zhgënjyer nga organizimi i recitalit të tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, pjesa më e madhe e sallës së Pallatit të Kongreseve ishte bosh, ndonëse koncerti ishte pa pagesë.

Ishte publiku shqiptar, ai që iu largua këtë herë Al Banos, apo ndoshta ky publik që e mirëpriti 27 vite më parë nuk u njoftua siç duhet për ardhjen e këngëtarit? Organizatorët u mjaftuan me disa postera tek-tuk në kryeqytet dhe spoteve sporadike televizive, shumë pak për të pritur një artist të madh të skenës italiane.

Ndoshta herën tjetër do të pritet më mirë, nëse do të ketë një herë tjetër, duke marrë parasysh faktin se tashmë Al Bano është 73 vjeç.

/ Top Channel