Rikonfirmohet përkushtimi i OKB-së për të mbështetur kërkimin e të pagjeturve

E publikuar: 30/08/2017 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm (PSSP) dhe shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, përmes një komunikate për opinionin ka rikonfirmuar angazhimin e OKB-së për të mbështetur kërkimin për të pagjeturit, transmeton Koha.net.

Në komunikatë theksohet:

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm (PSSP) dhe shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se “mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur në Kosovë. Familjet kanë të drejtë ta dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre. Kjo është një e drejtë themelore e njeriut.

1,658 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur si pasojë e luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë. Duke rikonfirmuar angazhimin e OKB-së për të mbështetur kërkimin për të pagjeturit, PSSP Tanin deklaroi se “UNMIK-u do të vazhdojë të mbështesë Grupin Punues për Persona të Pagjetur dhe të ndihmojë familjet e personave të pagjetur, veçanërisht nëpërmjet financimit të Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur në Prishtinë, gjatë vitit të ardhshëm. Ne përgëzojmë dhe inkurajojmë përpjekjet e atyre që punojnë së bashku për të zbuluar fatin e atyre që ende mungojnë”, thuhet në fund të komunikatës.