Rifillojnë punimet në tunelin e Mitrovicës

E publikuar: 05/03/2019 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se të martën (05.03.2019), kanë rifilluar punimet në sanimin e tunelit të Mitrovicës në rrugën nacionale N2 dhe ato do të përfundojnë për 20 ditë.

MIT mirëkupton shqetësimet e banorëve të Mitrovicës për shkak të zgjatjes së punimeve në këtë tunel.

Ju informojmë se si pasojë e vjetërsisë së madhe të tij, është parë nevoja për punë shtesë në katërfishimin e izolimit, që ky tunel të mos përballet më asnjëherë me probleme, pas përfundimit të rinovimit të tij.

Prandaj, për shkak të punëve shtesë është reviduar i tërë projekti.

Përkundër përpjekjeve, me qëllim që punët të kryhen me cilësinë më të mirë të mundshme, ka qenë e pamundur të punohet në temperatura minus.

Lusim qytetarët që të kenë mirëkuptim dhe të mos pengojnë zhvillimin e punimeve këtu. Protestat si formë e shprehjes së pakënaqësive janë e drejtë e garantuar me ligj, por kërkojmë nga partitë politike të mos përdorin qytetarët për interesa të ngushta partiake.

Sanimi i tunelit të Mitrovicës është dashur të ndodhë tash e sa vite, meqë gjendja e tij është jo e mirë për 50 vite, prandaj ka pasur arsye të mjaftueshme të protestohet gjatë gjithë kësaj kohe, duke kërkuar rregullimin e tij.​