Richardson: Korrupsioni, kërcënim i madh për besimin e qytetarëve në institucione

E publikuar: 26/11/2018 07:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Korrupsioni është një kërcënim i madh për besimin e qytetarëve në institucione, ka thënë Ulrika Richardson, shefe e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Referuar analizës së Pulsit Publik, ka rënie të besimit në institucionet kryesore – legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Sipas Richardson, Kosova ka hartuar ligje dhe politika të mira që mundësojnë krijimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, por “çështja është përkthimi i tyre në drejtësi për të gjithë në Kosovë – gratë, burrat dhe fëmijët”. Sektorët që më së shumti vuajnë nga korrupsioni, sipas Richardsonit, janë arsimi, shëndetësia dhe prokurimi publik.

UNDP-ja së fundi ka lansuar kampanjën 16-ditore e cila, siç ka thënë Richardson, ka për qëllim luftimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, dhunës në familje, si dhe në përparimin e barazisë gjinore.

Përfaqësuesja rezidente e UNDP-së për Kosovë në intervistën dhënë “Kohës Ditore” ka folur edhe për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Çështja thelbësore këtu është se kë Evropa po e ndëshkon me mosliberalizim të vizave. Unë mendoj se po i ndëshkojnë qytetarët e rëndomtë, të rinjtë që duan të studiojnë jashtë apo ata që duan t’i vizitojnë familjarët e tyre”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Richardson e ka vënë theksin tek gjithëpërfshirja. Sipas saj, cilado qoftë zgjidhja, duhet të garantojë mirëqenien e të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë hapësirë, qoftë ai – shumicë apo pakicë.

“Sa më shumë të përfshihet shoqëria civile, përfshirë edhe gratë, aq më e qëndrueshme është një marrëveshje pas konfliktit”, ka theksuar Richardson.

Në intervistë ajo ka folur edhe për procesin e transformimit të FSK-s në ushtri, ekstremizmin e dhunshëm dhe reformat në administratën publike.