Ribery nuk gjen paqe, i mallkuar nga dëmtimet

E publikuar: 12/06/2015 20:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Makthi i Franc Ribery nuk ka fund. 32 vjecari që qëndron jashtë fushe që nga 11 marsi i kaluar për shkak të një dëmtimi në kavilje është ende larg rikuperimit.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp Bajerni i Mynihut bëri të ditur se trajtimi që i është bërë gjatë gjithë kësaj kohe Franc Ribery nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Në këtë mënyrë Ribery i është dashur të fiksojë në gjendje të palëvizshme kaviljen e dëmtuar.

Francezi që u dëmtua që në mars ju nënshtrua një terapie jo kirurgjikale në zonën e dëmtuar por ky trajtimi nuk ka funksionuar. Si rezultat Ribery e ka vënë tashmë kaviljen në një protezë mbrojtëse që e mban atë të palëvizshme për të evituar ndonjë dëmtim të mëtejshëm si dhe për të përshpejtuar procesin e shërimit.

Drejtori sportiv i Bajernit i dha publikisht mbështetje Ribery duke deklaruar se të gjithë te Bayerni përkrahin francezin në procesin e tij të shërimit duke shpresuar që ai të kthehet në fushë sa më shpejt. Klubi bavarez nuk ka përcaktuar një afat të saktë për kohëzgjatjen e rikuperimit por 32 vjecari tani pritet që të qëndrojë jashtë fushe edhe për disa javë të tjera./ss/