Ri-viktimizimi i viktimave të dhunës në familje

E publikuar: 29/12/2018 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhuna në familje në Kosovë ka qenë temë “tabu” për shumë vite. Shpesh ka kaluar pa u raportua nga viktimat apo dëshmitarët e saj, një “komunitet heshtjeje” që pranoi se ekzistonte. Raportimi i dhunës në familje konsiderohej një “turp” nga viktimat. Kjo do të thoshte që anëtarët e pambrojtur të familjes u viktimizuan dy herë: një herë nga kryerësi i dhunës dhe tjetrën nga “kultura e mohimit”.

Kështu e nisë një analizë të vetën Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, të titulluar “Ri-viktimizimi i viktimave të dhunës në familje”.

“Statistikat në dispozicion (ZMNV, MPMS, MPB) nga viti 2003 tregojnë disa të dhëna mjaft shqetësuese, pasi që në vitin 2003 numri i rasteve viktima të dhunës në familje të regjistruara ka qenë rreth 300 raste për t’u rrit pothuajse për çdo vit rreth 20-30% dhe në vitin 2018 janë mbi 1200 raste të viktimave të dhunës në familje të raportuara”, thuhet në këtë analizë.

Ditëve të fundit jemi duke u përballë me paralajmërime nga strehimoret për mbylljen e tyre në mungesë të financimit.

“Një situatë që përsëritet secilin vit në Kosovë, pa dëshirën e strehimoreve. Rastet më të shpeshta të dhunës në familje ndodhin gjatë zezonës së verës dhe në fund vit, sidomos në kohë të festave dhe ahengjeve, pa përjashtuar edhe periudha tjera. Padyshim se gratë dhe fëmijët janë ata të cilët i vuajnë pasojat më të mëdha. Qeveria, Ministritë e linjës dhe Komunat duhet të bëjnë planifikime afatgjatë në trajtimin e këtyre rasteve dhe sigurimin ë buxhetit të qëndrueshëm, e jo të reagojnë vetëm në situata emergjente dhe situatë krizash”, thuhet më tej në këtë analizë.

Të dhënat tregojnë së në 8 strehimoret ekzistuese, nënat e vetme, nënat me fëmijë, apo vetëm fëmijët kalojnë rreth 15 000 natë-bujtina.

“Kosto financiare për qëndrim 24 orës për një klient, përfshi: ushqimin, higjienën, këshillimet, transportin, fjetjen, shëndetin, aktivitetet, sigurimin, stafin që përkujdeset arrin vlerën përafërsisht 30 euro. Por strehimoret marrin nga shteti përafërsisht vetëm 7 euro në ditë. Në anën tjetër një ushtrues i dhunës i cili mbahet në burg, shtetit i kushton rreth 34 euro në ditë”.

Sa i përket statistikave globale bazuar në të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e OKB-së rezulton se: 30% të grave (1 në 3) kanë përjetuar abuzim të ushtruar nga partneri dhe në vdekje ku përfshihen viktimat femra, 38% të autorëve ishin partnerët intim.

Partnerët kryesorë që merren me viktimat e dhunës në familje: Policia e Kosovës; Qendra për Punë Sociale; Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë ndaj Viktimave; Gjykata; Prokuroria; Strehimoret; Qendrat mjekësore familjare; Arsimi; Agjencioni për ndihmë juridike falas; OJQ të ndryshme.

Të dhënat gjithashtu tregojnë se dhuna në familje ndodh tek rastet kur dy persona mundë të jenë të: Të fejuar/ishin të fejuar; Të martuar/ishin të martuar; Bashkim jashtëmartesor/ish partner jashtëmartesor; Bashkëbanues; Prindër të një fëmije; Marrëdhëniet romantike apo seksuale?.

Sipas këtij Instituti, format e dhunës janë të ndryshme si: Forca fizike; Presioni psikologjik; Abuzimi ekonomik; Fyerjet /frikësim; Aktet seksuale pa pëlqim (jo-konsensuale); Dëmtim të pronës; E kombinuar, e që pothuajse në gjitha rastet kemi të bëjmë më kombinim të më shumë se dy formave.