Rezoluta për dalje nga kriza e PTK-së ende nuk është zbatuar

E publikuar: 18/08/2018 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hapat e paraparë që parasheh rezoluta për daljen nga kriza të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ende nuk ka filluar së zbatuari, edhe ka kaluar një muaji që nga miratimi i saj.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, thonë se kanë deleguar anëtarin në shtabin për menaxhimin e krizës, por që ende nuk kanë filluar, për shkak të pushimeve verore. Nga ana tjetër, sindikalistë të PTK-së, paralajmërojnë masa radikale, nëse rezoluta nuk fillon së zbatuari së shpejti.

Rezoluta për Telekomin dhe Postën e Kosovës, ku mes tjerash kërkohet të merren hapa për menaxhimin e krizës në këto dy ndërmarrje publike, me qëllimin ristrukturimin e thellë të veprimtarisë biznesore, të burimeve njerëzore dhe të planit të investimeve, është pamundësuar për shkak se Kuvendi bashkë me komisionet funksionale, është në pushim.

Në një përgjigje elektronike për Radio-Kosovën, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, thonë se aktiviteti i këtij mekanizimi nuk ka filluar ende. “ Konform Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të datës 12.07.2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka deleguar anëtarin e saj në shtabin për menaxhimin e krizës në Telekomin e Kosovës, mirëpo, meqenëse Kuvendi i Kosovës është në pushim, aktiviteti i këtij mekanizmi nuk ka filluar ende”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

E nga ana e tij, Sindikata e PTK-së, thekson se nëse rezoluta nuk fillon së zbatuari pas pushimeve të verës, atëherë do të ketë masa radikale të punëtorëve. Kryetari i Sindikatës Lahmi Balaj, tha për Radio-Kosovën se rezoluta është një ndër prej më të mirave që mund të ndodh. Ai thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar që të shkëputet kontrata me kompaninë Z-Mobile, e cila, siç thotë Balaj, është e ndërtuar mbi afera korruptive dhe pa asnjë ligj.

“Një kontratë e cila operatori e zhvatë kompaninë, pa investuar asnjë cent, dhe besoj që do të ishte më e mira që të zbatohet rezoluta, ne jemi në pritje të saj dhe do t’i jepte frymë PTK-së, sepse nuk do të t’i zhvatshin miliona euro të cilat deri tani janë zhvatur nga kompanitë e jashtë, sidomos nga ajo z-mobile dhe kompani të tjera të kontraktura. Do të ishte një hap i mirë që Telekomi të dal nga kriza, sepse ato kontrata dhe ato që është kërkuar të ndodhin në atë rezolutë, janë ato që e kanë shkatërruar Telekomin mbi afera korruptive ”.

Rezoluta për PTK-në, ndër të tjera kërkon nga bordi të tërhiqen njerëzit aktual, me qëllim që të emërohen njerëz profesional dhe kjo kompani të dal nga kriza në të cilën është thelluar.