Rezart Veleshnja flet për të dashurën e re dhe zbulon planet e së ardhmes

E publikuar: 16/01/2018 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë herë, ai na ka prezantuar në rrjetet sociale me një vajzë brune në krah, duke shijuar Gjermaninë, ndërsa shkruan: “Dashuria ime S”, pra, lë kështu enigmë identitetin e plotë të saj.

Kjo nuk është hera e parë që aktori publikon fotografi me të njëjtën vajzë, shoqëruar me dedikime dashurie. Çifti ndodhet këto ditë të para të janarit në Gjermani, vendi ku flitet se jeton e dashura. Aktori ka shfrytëzuar mbylljen e sezonit “Portokalli” për t’iu gëzuar dashurisë full time, duke e konsideruar këtë kohë, që po kalon pranë saj, si muaj mjalti të vërtetë. I pyetur nga gazeta Panorama” për këtë histori të bukur dashurie ai tregon: “Mund të them vetëm që e dashura ime jeton prej 20 vitesh në Gjermani, është me profesion mjeke dhe e them me bindje se e shoh si gruan e jetës, pra, ajo do të jetë nusja ime”, tha Rezi për “Panorama”. Rezart Veleshnja, një ndër aktorët më të spikatur në “Portokalli”, numëron role nga më të ndryshmet, që nga personazhe të thjeshtë e deri tek emra të njohur të ekranit.

REZI FLET PËR ROLET: I PREFERUARI IM, BETIM SPËRDHIMA, MË I VËSHTIRI, DREJTORI I SHKOLLËS

Së fundi, Rezi ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake up”, i pyetur se, a ishte për të ky sezoni më i mirë në “Portokalli”, Rezarti thotë se të gjithë sezonet për të janë më të mirët. “Nuk mbaron me kaq, nuk keni parë gjë akoma”, thotë aktori i “Portokalli”. Më tej, Rezi ka treguar se në 10 vite ka arritur të realizojë plot 44 personazhe, por sigurisht që ai e ka një të preferuar. “Sigurisht që është Betim Spërdhima. Të gjithë ne shqiptarët e kemi pak fshatin brenda, të gjithë, dhe kjo besoj është një ndër elementët e suksesit të këtij roli”, u shpreh ai. Ai zbulon edhe personazhin më të vështirë për t’u realizuar. “Është drejtori i shkollës. Më ka bërë me dhimbje koke”. Sa i përket “Zonës së Brrylit”, një mini i programeve të realizuara nga Rezarti këtë sezon të “Portokalli”, ai thotë se nuk është synim të goditet askush, por vetëm të kënaqim publikun. “Nuk kemi dalë me sëpata, nuk duam të godasim njeri. Ne jemi emision humori dhe thjesht duam të kënaqim publikun”, shprehet ai ndër të tjera./Panorama plus/