Revolucioni dixhital në bankat shqiptare

E publikuar: 27/11/2018 14:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vitin 2009, ProCredit kishte 867 punonjës dhe 42 degë, sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Në fund të vitit 2017, numëronte 202 punonjës dhe 7 degë. Banka ka qenë një nga pionieret në automatizimin e proceseve në sektorin bankar shqiptar.


ProCredit vuri për herë të parë në përdorim teknologjinë e fundit, me anë të së cilës kanë arritur të zëvendësojnë tërësisht pozicione pune që merreshin me punë rutinë dhe që nuk kërkojnë një shkallë të lartë përfshirje, si numërim cash-i, apo kryerje detyrash të thjeshta operacionale.

“Përdorimi i teknologjisë na ka dhënë mundësi të shumta për të arritur pritshmëritë tona të biznesit, si përmbushja e nevojave të klientëve tanë me eficencë dhe ofrimi i mundësisë për të përdorur shërbimet bankare 24/7”, thotë znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit Shqipëri. Ajo shton se ProCredit, falë përdorimit të teknologjisë, ka automatizuar rreth 99% të transaksioneve të saj, gjë që demonstron qartë fokusin për kanalizimin e transaksioneve në pajisjet elektronike dhe online.


Edhe bankat e tjera po e shikojnë si një sfidë përballjen me ndryshimet teknologjike. “Transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë”, pohon Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri, e dyta më e madhe në vend.

Për z. Maltin Korkuti, drejtori i Credins Bank, sfida teknologjike në shërbimet bankare është e madhe, pasi nuk mjafton investimi, por ka një kontekst rregullator dhe ligjor të ndërlikuar, si dhe një konkurrencë në rritje nga institucionet jo banka. “Por është një domosdoshmëri që brezi aktual konsumator e ka prioritet dhe ne, si bankë, synojmë të propozojmë zgjidhjet tona”, shton ai.

Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, pohon se në afatin e mesëm, sistemi bankar do të duhet të përballet me Revolucionin Dixhital. “Ne tashmë kemi hyrë në një epokë të re, veçanërisht sa i përket banking-ut me pakicë. Çdo bankë duhet të përditësojë modelin e saj të biznesit, duke pasur parasysh se gjeneratat e reja do të kenë qasje në shërbimet bankare, kryesisht ose vetëm nëpërmjet kanaleve dixhitale.

Është e parashikueshme domosdoshmëria për të rishikuar praninë e rrjeteve fizike dhe integrimi i të gjitha kanaleve dixhitale, në një platformë të vetme, duke u mundësuar klientëve të marrin gjithë shërbimin, duke përdorur një pikë hyrjeje të vetme. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti që teknologjitë e reja lejojnë lojtarë të tjerë të hyjnë në arenë. Gjithnjë e më shumë banka do të përballen me kosto jashtëzakonisht të larta për t’u përshtatur me realitetin e ri”, pohon CEO i Intesa Sanpaolo.

I gjithë ky revolucion dixhital pritet që ta bëjë më pak të kërkuar kapitalin human, teksa një pjesë e tij do të zëvendësohet nga automatizimi. Sipas Shoqatës së Bankave, numri i punonjësve në sistemin bankar ishte rreth 6,900 persona në fund të 2017-s dhe ka mbetur pothuajse i pandryshuar në tre vitet e fundit.
MBARON BOX. /Monitor