Reuters: Pronari i Leicesterit ishte vetë i pesti në bordin e helikopterit të rrëzuar

E publikuar: 28/10/2018 14:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdojnë të dalin lajme në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur në mbrëmjen e së shtunës afër stadiumit të Leicester Cityt, Kind Power Stadium.

Mbrëmja e së shtunës ishte e kobshme për ish-kampionin e Ligës Premier, Leicester City.

Kjo pasi pas ndeshjes së zhvilluar ndaj West Ham United, helikopteri i pronarit të tyre, Vichai Srivaddhanaprabha, është rrëzuar në afërsi të stadiumit.

Pas rrëzimit helikopteri ka marrë flakë, por ende nuk dihet nëse numri një i klubit anglez ishte brenda tij.

Megjithatë, sot (e diel) kanë filluar të dalin lajme në lidhje me njerëzit që ishin në bordin e helikopterit.

Pronari i Leicester Cityt, Vichai Srivaddhanaprabha

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se, sipas një burimi të afërt me klubin, pronari i Leicester City, Srivaddhanaprabha ishte në mesin e pesë njerëzve që ishin në bordin e helikopterit që u rrëzua, ndërsa së bashku me të mendohet të ketë qenë njëri nga fëmijët e tij dhe dy pilotët.

“Pronari i Leicesterit ishte njëri nga pesë vetët në bord”, raporton Reuters.

Në anën tjetër, BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë numrin e atyre që janë në bord, por edhe atyre i është thënë nga një burim i afërt me familjen se Srivaddhanaprabha ishte në helikopter. /Telegrafi/