Renditja në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda – Gustafsson kërkon titullin, Latifi shansin për më të mirin

E publikuar: 29/12/2018 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy miqtë në UFC, Ilir Latifi dhe Alexander Gustafsson, do të zhvillojnë meçe të ndara në kuadër të ‘UFC 232’ që kanë rëndësi shumë të madhe për karrierën e tyre.

Ylli shqiptar ndeshet me Corey Anderson në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda, në meçin që zhvillohet në ‘The Forum’ në Inglewood të Kalifornisë të shtunën (me kohën tonë të dielën, 30 dhjetor dhe pritet të fillojë rreth orës 04:30).

Në rast të triumfit, 35-vjeçarit do t’i hapet rruga të luftojë për titullin e divizionit në të ardhmen.

Nga ana tjetër, miku i tij i ngushtë, suedezi Gustafsson, zhvillon duelin ndaj Jon Jones të vlefshëm për titullin e kampionit në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda.

Përballja e tyre e parë ishte aq e ashpër, saqë pas duelit të dy shkuan në spital për të mjekuar plagët e marra. Prandaj, pritet një supermeç kur ata të hyjnë në ‘Tetëkëndësh’.

Në ndërkohë, për të pasur parasysh se çfarë të presim nga këto përballje, më poshtë jua sjellim renditjen e 15 yjeve të UFC-së në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda:

Renditja e yjeve të UFC-së në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda (Foto: ufc.com)

Latifi është i pesti në renditje, derisa kundërshtari i tij është në vend të dhjetë, prandaj në bazë të pozicionimit, shqiptari është favorit për këtë duel.

Jon Jones dhe Alexander Gustafsson renditen në pozitat një dhe dy, respektivisht, ashtu që përballja mes tyre është nga ato duelet e shumëpritura të UFC-së. /Telegrafi/