Remi: Krizës i ka ardhur fundi, Qeverisë i duhet riformatizim i thellë (Video)

E publikuar: 01/10/2016 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni qeverisës nuk i ka përmbushur pritjet, andaj duhet riformatim i thellë i tij në mënyrë që njerëzit adekuat të vijnë në pozitat e duhura. Kështu thotë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe njëri nga udhëheqësit e PDK-së, Rrustem Mustafa-Remi.

Mustafa thotë se Kosova është para momentit, ku politika në përgjithësi duhet të ndërrojë mendësi, të ketë një qasje të re politike, pasi që nuk ka kohë për të humbur më.

“Pritjet që kanë qenë për këtë koalicion nuk janë deri aty më së miri. Tash ndodhemi para situatës kur duhet koalicioni të bëjë riformatizim të thellë, duke vendosur prioritet e saj për të ardhmen, të sakta dhe me këmbëngulësi që të ecin ato prioritete. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që edhe njerëzit adekuat të vijnë në pozita të caktuara, në secilin sektor veç e veç. Unë po shpresoj që jemi para momentit, ku politika në përgjithësi duhet të ndërrojë mendësi. Duhet të jetë mendësi e punës, e kualitetit më të mirë për ecje drejtë zhvillimeve të reja që na presin. Qeveria deri tani ka ec qysh ka ec, por po them që na duhet mendësi e re, qasje e re politike. Duhet të jenë më veprues dhe me këmbëngulës në prioritetet tona, qoftë në politikat e sigurisë, por dhe në politikat zhvillimore. Neve na duhet qasje tjetër me mentalitet më të hapur për t’u zhvilluar, për ecje tutje. Ne nuk kemi kohë për me humb më”, tha ai.

 Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ai thotë se kjo tashmë është një temë e shpenzuar. Ndërsa beson që nga ky demarkacion Kosova nuk humbë territor.

“Demarkacioni për mua tani më është temë e shpenzuar. Për demarkacionin është votuar në Parlamentin e Kosovës dhe shpejtë po besoj duhet me u votu prapë edhe kërkesa e fundit, është kjo politikbërja ekzistuese që ka vendos për demarkacionin, nuk ka zhvillime përveç atyre që i kemi publikisht të gjitha. Në shekullin që po jetojmë nuk ka mundësi as të merr dikush tokë apo të falë dikush tokë një vendi tjetër. Qytetarët tonë janë të vendosur për ruajtjen e tërësisë territoriale, institucionet kredibile të vendit, të gjitha kanë garantuar që demarkacioni është në përputhje me interesat tona dhe hartën që ne e gëzonim nga e kaluara. Gjithashtu, edhe miqtë tanë kanë sugjeruar një gjë të tillë, andaj s’kemi pse të merremi me tema të cilat tashmë janë shpenzuar ”, thotë ai.

Duke i komentuar veprimet e opozitës në kundërshtim të proceseve për vendin, ai thotë që jo vetëm opozitës por dhe pozitës shpeshherë i ngjajnë disa ecje, jo në përputhje me kohën.

“Shpesh herë edhe pozitës edhe opozitës, i ngjajnë disa ecje jo në përputhje me kohen por sido që të jetë ky është vendi ynë, kjo është Kosova jonë”, tha ai.

 Ai ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të VV-së, për luftë të mundshme me Malin e Zi, duke thënë se nuk ka moment që e dërgon Kosovën drejtë një lufte të re.

“Qytetarët janë të sigurtë, nuk ka moment që dërgon drejtë asnjë lufte në vendin tonë. Kosova si vend i ri, ka objektiva të qarta dhe është prioritet ndër prioritete, për vendosjen e marrëdhënieve sa më të mira me fqinjët tanë, duke përfshirë këtu dhe Malin e Zi dhe vendet tjera që na rrethojnë”, tha ai.

Mustafa thotë se kjo krizë politike e institucionale ka qenë e panevojshme dhe se i ka ardhur fundi tashmë.

“Kjo krizë politike ka qenë shumë e panevojshme por gjendemi në të dhe unë besoj që i ka ardhur fundi dhe shpejtë do të ikim nga kjo gjendje”, tha ai.