Rektori Zejnullahu godet ministrin Bajrami: Ti ishe prorektor i grupeve t’interesit

E publikuar: 29/09/2015 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu ju ka drejtue me anë të nji letre publike ministrit t’Arsimit, Arsim Bajrami.

Lexoni të plotë letrën e Rektorit Zejnullahu

“I nderuar Ministër Bajrami,

Me një vonesë disaditëshe mësova për intervistën tuaj. Prandaj, e shkarkova videon dhe e dëgjova me shumë kujdes atë që keni thënë. Vërtetë më befasoi ndryshimi i qëndrimit Tuaj ndaj çështjeve aktuale në Universitet, edhe pse në 12 muajt e fundit u mësova që të mos befasohem nga asgjë. E kam të qartë se Ju jeni ministër në një shtet ku, përveç politikës zyrtare, ka edhe “politika” të tjera, partiake, personale, grupore e klanore, prandaj edhe nuk është lehtë të mos ndikohesh prej tyre.

Po shoh se qenkeni i pakënaqur, gati i zhgënjyer, me menaxhimin në Universitet dhe se bëni thirrje për zbutje standardesh e qëndrimesh, fleksibilitet, e të ngjashme, edhe pse 15 vjet na shkuan me zbutje e fleksibilitet, që rezultoi me katandisjen e Universitetit në vendin e 4060-të në rang-listat botërore.

Sidoqoftë, këto janë qëndrimet e një ministri, të shpehura publikisht dhe unë, si i apostrofuar, bëra përpjekje t’i analizoj ato.

Ministri Bajrami: MASHT përkrah standarde të larta, por ne jemi Kosovë, nuk jemi Kembrixh.

Të kërkosh standarde të larta të cilësisë dhe, njëkohësisht, të kesh rezervë ndaj zbatimit të kritereve minimale akademike, të përcaktuara me Statut që nga viti 2004, është kundërthënie logjike.

Larg jemi ne nga Kembrixhi zoti Ministër, e larg jemi edhe nga vendet e tjera të rajonit. Pra, nuk bëhet fjalë këtu për Kembrixh, por për kritere minimaliste çfarë nuk gjeni në asnjë vend tjetër të rajonit, përveç ndoshta në Shqipëri. Plotësimi i këtyre kritereve nuk quhet “standard i lartë”, përderisa ato janë minimaliste. Problemi ynë është, z. Ministër, se edhe këtyre kritereve minimaliste po ju shmangemi dhe po duam t’i zhbëjmë. Po mundohemi ta “shesim” një revistë të një kolegji privat të Kosovës si ndërkombëtare, ose siç thot populli, po shesim dushk për gogla. Ju lutem mos i përkrahni standardet e larta se atëherë duhet ta mbyllim universitetin. Mjafton t’i jepni mbështetje respektimit të kritereve tona minimaliste që janë në fuqi nga viti 2004, kur Ju keni qenë prorektor për mësim, dhe kjo na ndihmon të bëhemi pak më të mirë se që jemi tani.

Ministri Bajrami: Çështjet duhet të zgjidhen në proces e jo me prerje kirurgjike.

Po Ministër, pajtohem me Ju sepse nga funksionimi joligjor i institucioneve kemi përfituar të gjithë. Prandaj zgjidhja në proces e problemeve që ka sot UP-ja d.m.th. te lejojmë që përfituesit joligjorë të vazhdojnë zhvatjen edhe për disa vjet, por me intensitet diç më të vogël. Në fund, ajo që mbetet nuk i duhet më askujt.

Paramendoni sikur të fillonim t’i ndalonim regjistrimet joligjore të studentëve, në proces, duke negociuar me argatët e së keqes.

Ministri Bajrami: Jemi të pakënaqur me trendin, atje nuk ka kurrfarë përmirësimi, atje universiteti nuk po e zhvillon komponentën kryesore – cilësinë, nuk është cilësia çështje administrative.

Nuk e mendoj se mendoni ashtu, të paktën në takime tona të punës e keni thënë të kundërtën. Nëse e keni thënë për të balancuar me ata që humbën mundësinë e ndërhyrjes në vendimmarrje në UP do ju mirëkuptoj se ata janë ende të “fuqishëm”. Por ama mos pritni që gjendja do të përmirësohet brenda një viti pas 15vjet katandisje të UP-së, nga e cila përfituan dhe vazhdojnë te përfitojnë të gjithë ata që kanë “fuqi”, nga majat e shtetit deri te ata që kryejnë shërbime për UP. Për këtë kam qenë i vetëdijshëm që në fillim.

Ministri Bajrami: Ne do të vërejmë cilësi nëse rektori do t’i përkushtoj dekanët që të punojnë me mësimdhënësit, që të japin ligjërata me cilësore.

Për fat të keq, asnjëherë në këtë universitet nuk është biseduar për cilësinë e ligjëratave dhe Ju e dini këtë fare mirë. Bile kur studentët flasin për cilësinë e ligjëratave dhe mungesat e profesorëve prej ligjëratave, ua mbyllim gojën. Por, një gjë dihet – cilësinë e sjellin njerëzit e kualifikuar, të përkushtuar dhe të përgatitur në aspektin profesional. Dhe, nëse Ju e quani “bllokim” insistimin e menaxhmentit për t’i marrë me meritë gradat akademike, atëherë nuk po e inkurajoni zhvillimin e cilësisë në Universitet, por po e shndërroni cilësinë në viktimë të ambicieve personale të individëve.

Ministri Bajrami: I kam kërkuar rektorit të jetë me fleksibil, të hap debatin të mos bllokoj zgjedhjet.

Zoti ministër, do të ju rikujtoj se, para një muaji, vet e keni propozuar debatin me dekanët e njësive akademike rreth

zgjedhjeve të stafit, madje e kemi caktuar edhe datën për mbajtjen e debatit. Kjo ndodhi pasi e keni pranuar një grup të senatorëve që kërkuan nga Ju të merrni masa ndaj menaxhmentit, ndërsa unë bashkë me dekanët e kemi pritur idenë e debatit me shumë kënaqësi.

Pse nuk po e sqaroni para publikut arsyen e anulimit të pjesëmarrjes Suaj në debatin që e propozuat vet? A ishte ky vendim i Juaji apo i dikujt tjetër? Tregoni opinionit për kërkesat që i shtruat para meje për mbrojtje te kritereve akademike, bile edhe duke u thirrur në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Debatin e kemi zhvilluar edhe në Senat, por kërkesa ishte që ky debat të mbyllet me shumicë votash që, në praktikë, do të thotë të avancohen të gjithë, pavarësisht plotësimit të kritereve ligjore. Bile, shkuam aq larg në debat sa që filluam të diskutojmë nëse një revistë që publikohet nga një kolegj privat në Prishtinë është revistë ndërkombëtare.

Ministri Bajrami: Zgjedhjet nuk janë bllokuar as në kohën e okupimit

Zoti ministër, nëse 16 vjet pas përfundimit të okupimit ne dëshirojmë të veprojmë si në vitet e 90-ta, kjo do të thotë se, jo që nuk jemi ambicioz, por as nuk dëshirojmë përparim. Kriteret nuk i ka vendosë rektori, por Statuti. Këtë e dinë të gjithë.

Nëse dëshironi, ndërrojeni Statutin dhe nuk e kam problem që të zbatoj standarde më pak rigjide. Por, nëse e anashkalojmë me vetëdije dhe me shumicë votash, atëherë nuk mbetet më universitet.

Ministri Bajrami: Unë vet kam qenë rektor, por çdo mëngjes kam pas takim me dekanë dhe të gjitha çështjet i kemi zgjidhur me mirëkuptim.

Më kujtohet mirë koha kur ju ishit prorektor, por nuk e besoj se as Ju as opinioni akademik mendon se ajo ishte kohe e lavdisë së UP. Përkundrazi, ajo ishte koha kur në UP u krijua një atmosferë e kontrollit të rreptë politik, që hapi rrugë për krijimin e grupeve të interesit me qëllim sigurimi të përfitimeve personale dhe joligjore. Si rrjedhojë, në këtë aspekt shpesh është vepruar pa kurrfarë kriteri, si gjatë pranimit të studentëve, ashtu edhe gjatë promovimit në thirrje akademike dhe pranim të kuadrit.

Falë politikës që u promovua në atë kohë, u katapultuan në jetën akademike individë që njiheshin në opinion si shpërdorues të financave publike dhe të tillë që ishin të lidhur me klane që abuzuan dhe vazhdojnë ta abuzojnë këtë Universitet.

Dhe, pasi i analizova të gjitha, z. Ministër mbetet tek unë dilema se çfarë pret një ministër i arsimit, që ka deklaruar si prioritet të vetin cilësinë, nga rektori i Universitetit më të madh në vend – insistim për respektim të kritereve të cilësisë apo ruajtje të sqatus quo-së që na solli deri këtu ku jemi?

Me respekt,

Ramadan Zejnullahu

Autori është rektor i Universitetit të Prishtinës.