Rektorët i quajnë politike emërimet e anëtarëve të këshillave drejtues të universiteteve publike

E publikuar: 16/09/2019 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rektorët e Universiteteve Publike kanë reaguar lidhur me vendimet e Ministrit në detyrë të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për emërimet e anëtarëve të Këshillave Drejtues të disa univeristeteve.

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike, në takimin e datës 16.09.2019, pas zhvillimeve të fundit në disa prej universiteteve publike, shprehur e shqetësuar, lidhur me siç thonë ata, vendimet e Ministrit në detyrë të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për emërimet jo-profesionale dhe politike të anëtarëve të Këshillave Drejtues në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, Universitetin Kadri Zeka në Gjilan dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Përmes një njoftimi për media, këto universitete kanë shprehur shqetësimin për mosfunksionimin e Komisionit për ankesa në kuadër të KSHC-së, gjë që sipas tyre, ka bllokuar procesin e hapjes së konkurseve për pranimin e studentëve të rinj.

“Universitetet publike, të cilat padrejtësisht nuk kanë marrë akreditim institucional në vitin 2019, shprehin shqetësim për mosfunksionim të Komisionit për ankesa në kuadër të KSHC-së dhe si rezultat i mosfunksionimit të kësaj trupe, ankesat e tri universiteteve, të parashtruara brenda afatit 30 ditor ende nuk kanë marrë përgjigje, gjë që ka bllokuar në tërësi procesin e hapjes së konkurseve për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019/20”, thuhet në njoftim.

Ata thonë se vendimet e ministrit për emërimet e anëtarëve të Këshillave Drejtues janë të kontestueshme për shkak se i njëjti është ministër i dorëhequr në detyrë dhe në këtë fazë nuk do të duhej të emëronte anëtarë të Këshillave Drejtuese të Universiteteve publike.

“Gjithashtu vendimet janë të përgatitura në mënyrë jo profesionale, nuk përmbajnë elementet kryesore juridike, siç është kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të ri, mungon arsyetimi për shkarkim të anëtarëve të KD-së në Gjilan, të cilët kanë pasur mandat edhe për dy vjet tjera sipas vendimit për emërim të lëshuar një vit më parë nga i njëjti ministër”, thuhet në njoftim.

Ministri Bytyqi javën e kaluar i ka emëruar edhe tre anëtarë në bordin e Universitetit të Pejës. Të emëruarit janë, Gazmend Shabaj, Nazmi Maksuti dhe Besnik Zekaj.

Koha Ditore para disa ditëve pati raportuar se ministri Bytyqi ka emëruar anëtarë të bordeve edhe në Universitetin e Gjilanit dhe Ferizajt të cilët kryesisht janë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministri Bytyqi më 26 gusht dha dorëheqje nga partia Nisma Socialdemokrate derisa e akuzoi këtë parti për ndërhyrje në arsim. Vetëm pak ditë më pas, ju bashkua Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD). Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë në koalicion parazgjedhor.

Gjatë kohës sa ishte në Nisma, Bytyqi kishte bërë emërime të shumta politike nëpër bordet e Universiteteve publike, Ministrinë e Arsimit dhe shumë institucione tjera që veprojnë në kuadër të MASHT-it.