Reka takon shefin e EULEX-it Wigemark

E publikuar: 14/05/2020 14:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sic njoftohet nga ministria ata kanë biseduar për mbështetjen e këtij misioni të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Fillimisht, Ministri në detyrë Reka, falënderoi z. Wigemark për kontributin e këtij misioni në fushën e drejtësisë, duke shtuar se ky është edhe synimi i Qeverisë së Kosovës, atë të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më tej, Shefi i Misionit të EULEX-it u njoftua mbi të arriturat e qeverisë në 100 ditët e para të saj të qeverisjes, ku pjesë thelbësore e programit qeverisë është sundimi i ligjit, prandaj edhe shumica dërmuese e 192 vendimeve qeveritare të ndërmarra janë në funksion të zbatimit të ligjit në vend. Poashtu, Ministri Reka theksoi se këtë nuk e bëjmë sa për të jetësuar Agjendën Reformuese Evropiane, por për shkak të funksionimit të Republikës së Kosovës, si shtet i së drejtës me ligjin mbi të gjithë dhe jo si shtet privat”, thuhet në kumtesë.

Reka ka kërkuar nga mysafiri që EULEX-i të vazhdojë të ndihmojë institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit, si dhe për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Shefi i Misionit të EULEX-it z.Wigemark, nga ana e tij tha se “EULEX-i është dhe vazhdon të mbetet partnerë përkrahës i institucioneve të Kosovës në sundimin e rendit dhe ligjit në vend, të cilat janë edhe parimet thelbësore mbi të cilat është krijuar dhe funksionon Bashkimi Evropian”. Poashtu, Z. Ëigemark informoi Ministrin Reka rreth punës që EULEX bënë në Kosovë për identifikimin e personave të zhdukuar. Njëherit, z.Wigemark falënderoi Ministrin Reka për qasjen bashkëpunuese të tij, si dhe mbështetjen e synimeve të misionit të EULEX në Kosovë në funksion të sundimit të ligjit në vend”.