Reja e Rugovës, Isa Mustafës: Rugova nuk u mor me sulme, punoi për shtetin e Kosovës

E publikuar: 30/08/2017 21:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Blerina Kllokoqi Rugova, bashkëshortja e djalit të madh të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i është kundërvu kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Ky i fundit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook u ankua për sulmet ndaj tij dhe familjes së tij gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Ai ASNJËHERË një fjalë nuk e tha, as për ata që e sulmuan, as për ata që e tradhtuan, as për ata që ia ndalen financat, as për individë ndërkombëtarë, sepse atij nuk i interesonte gjendja e epiteti që atij do i jepnin, i interesonte Kosova shtet i pavarur e demokratik, i interesonte integrimi në BE dhe Nato, i interesonte mirëqenia e qytetarëve të tij”, ka shkruar Blerina Kllokoqi Rugova.

Sipas saj, sulmet ndaj familjes së Rugovës kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

“Gjithnjë të iniciuara nga shërbimet që punojnë kundër Kosovës shtet i pavarur e demokratik, që për qëllim kanë zbehjen e figurës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Por, për ne kjo nuk është prioritet. Prioritet mbetet porosia e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova: “Kosova shtet i pavarur e demokratik, me të gjithë qytetaret e saj të integruar në BE, në NATO dhe në lidhje dhe miqësi të përhershme me SHBA-të””, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova mbeti jetim kur ishte vetëm 1 muaj. Shteti fqinjë, pushteti i atëhershëm serb, i pushkatuan babën Ukë e gjyshin Rrustë. Mbeti i vetëm, me nënën Sofë, e cila me shumë sakrificë e mund, nënë shqiptare heroike, e rriti, e edukoi dhe e shkolloi.

Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova nuk kapi një armë e të gjuaj një polic serb a një komisar serb. E as të dilte e të fyente. Ai zgjodhi një rrugë tjeter: luften me pend. Luften e qetë. Luften me paqe. Luften duke krijuar miq ndërkombëtar. Luften duke pasur miq Shtetet e Bashkuara të Amerikes.

Se çfarë sakrifikoi në kohën kur ishim nën okupimin serb të gjithë e dinë!!!

Në fund, erdhën e muren peng. I kërkuan të shkojë në Beograd dhe të kërkojë ndërprerjen e sulmeve të Natos. Ai kishte para vehtes dy zgjidhje:

Të vdes në vend duke u shpallur patriot
Të shkojë në Beograd dhe duke shpresuar në mbështetjen e miqve ndërkombëtar të vazhdojë misionin e nisur për çlirimin e qytetarëve të tij, për një Kosovë të pavarur e demokratike
Ai zgjodhi të dyten, duke pasur besim në qytetaret e Republikes së Kosoves dhe duke dëshiruar me çdo kusht Kosoven shtet të pavarur e demokratik për popullin e tij. U ofendua e u fy.

Por ai, një fjalë nuk e tha!

Me ndihmen e miqëve tanë ndërkombëtar ai dhe familja e tij u transferuan në Itali. Por ai, me dëshirë dhe vullnet të mirë, për të qenë më afër popullit të tij, duke ditur numrin e qytetarëve që kishin ikur për në Gjermani, kërkoi të udhëtoj drejt Gjermanisë. Aty ai e kuptoi se kishte njerëz që punonin kunder vullnetit të tij, duke i bllokuar financat, kushtet elementare për jetesë, që ai të mos merrej me procese por me sigurimin e një kafshate buke për fëmijët e tij. U detyrua të kthehej sërish në Itali.

Por ai, një fjalë nuk e tha!

Kosova u çlirua. Ëndrra e tij u realizua. Puna e tij u shpërbly. Qytetaret e Republikes së Kosoves i dhanë besim të plotë në zgjedhjet e para lokale të pasluftes në vitin 2000, ku fitoi 58% të votave, dhe në zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës në vitin 2001, ku përkunder manipulimeve të panumerta, ai fitoi 48% të votave.

Duke parë adhurimin e tij nga populli i Kosoves, duke e parë si një njeri të pamposhtur, i vranë shumë bashkëpunëtorë. I vranë Xhemajl Mustafen, i vranë Smajl Hajdarin, i vranë Ukë Bytyqin, e shumë të tjerë.

E sulmuan me bombë në shtëpi me datën 12.03.2004. E sulmuan me bombë veturën e tij me datën 15.03.2005.

Por ai, sërish një fjalë nuk e tha!

Ai kishte ende punë për të bërë, njohjen formale të Pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2004 u munduan të i krijojnë një opozitë shumicë për t’i pamundësuar zgjedhjen si President. Mu atëkohë, për ata që kanë harruar, ishte Ramush Haradinaj ai që u shkëput nga ai koalicion kunder Rugoves, kunder njeriut që sakrifikoi vehten dhe jeten e tij për një Kosovë të pavarur e demokratike, dhe hyri në koalicion me LDK-në, duke zgjedhur Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova “Presidenti i parë i Republikes së Kosovës”.

Në tetor 2005, Presidenti trajtohej me kemioterapi, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, kur po bisedohej për statusin final të Kosoves në Vjenë të Austrisë, dhe nga takimet me të në atë gjendje duke mos e kursyer aspak dilnin nga takimi me të e thonin: “Kjo është shtëpi e krimit, këtu ka kriminel”, duke provuar me çdo kusht njollosjen e tij përmes familjes së tij, aty ku edhe kanë zanafillen propagandat ndaj Ukë Rugoves.

Por Presidenti ynë historik, një fjalë nuk e tha!

Ai nuk merrej me individë, ai vazhdonte fliste për procese. Për Kosovën shtet të pavarur e demokratik.

Ai ASNJËHERË një fjalë nuk e tha, as për ata që e sulmuan, as për ata që e tradhtuan, as për ata që ia ndalen financat, as për individë ndërkombëtarë, sepse atij nuk i interesonte gjendja e epiteti që atij do i jepnin, i interesonte Kosova shtet i pavarur e demokratik, i interesonte integrimi në BE dhe Nato, i interesonte mirëqenia e qytetarëve të tij.

P.S. Sulmet ndaj familjes së tij kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Gjithnjë të inicuara nga shërbimet që punojnë kunder Kosoves shtet i pavarur e demokratik, që për qëllim kanë zbehjen e figures së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Por, për ne kjo nuk është prioritet. Prioritet mbetet porosia e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova: “Kosova shtet i pavarur e demokratik, me të gjithë qytetaret e saj të integruar në BE, në NATO dhe në lidhje dhe miqësi të përhershme me SHBA-të”.