Regjistrohet numri më i ulët me koronavirus në dy muaj e fundit në Itali

E publikuar: 05/05/2020 19:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Italia ka raportuar 236 të vdekur të martën nga coronavirusi, ndërsa raporti ditor i infeksioneve të reja ka rënë në 1,075, numri më i ulët i rasteve të reja për dy muaj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shifra e përgjithshme e vdekjeve është 29 mijë, një nga më të lartat në botë, kurse numri i të infektuarve në vend arrin në 213 mijë.

Raportohet se numri i vërtetë i vdekjeve nga sëmundja në Itali mund të jetë më i lartë, sipas një analize të mortalitetit të lëshuar të hënën nga agjencia kombëtare e statistikave.

Ndryshe, Italia është vendi i parë evropian që vuri masat e ashpra të karantinimit në luftën kundër coronavirusit.

Dhe pas dy muajve të izolimit total, tanimë ka filluar gradualisht të zbusë masat kufizuese që do t’i mundësojë rikthimin në punë miliona italianëve.

Dekreti i ri i qeverisë italiane do të jetë në fuqi për dy javët e ardhshme, që do të konsiderohet si “periudhë testuese” për marrjen e vendimeve në të ardhmen në trajtimin e krizës së coronavirusit, e nëse trendi pozitiv vazhdon sipas të dhënave të epidemiologëve, pasojnë masat tjera lehtësuese.