Reciprociteti ndaj Serbisë duhet të vazhdojë

E publikuar: 29/03/2016 11:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, ka marrë vendim që të përdoren masa të reciprocitetit në fushën e transportit të naftës dhe gazit ndaj Serbisë, pasi ky shtet ka refuzuar t’i largojë barrierat për shoferët dhe kamionët e Kosovës që bartin materiale të rrezikshme.
E tëra kjo erdhi si rrjedhojë e pamundësisë së kompanive nga Kosova që t’i importojnë derivatet e naftës dhe të gazit për shkak se autoritetet e Serbisë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës.
Në shtator të vitit 2015 Ministria e Ndërtimtarisë e Komunikacionit dhe Infrastrukturës së Serbisë kishte nxjerrë një vendim me të cilin ua mundësonte kompanive nga Kosova të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015 dhe ta vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa. Mirëpo, edhe pavarësisht këtij vendimi, kompanitë e Kosovës nuk kanë pasur mundësi t’i importojnë derivatet e naftës dhe gazit për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës. ADR-ja është certifikatë, e cila lëshohet nga autoritetet përkatëse për transportin e materialeve, të cilat konsiderohen të rrezikshme. E si rrjedhojë e tërë kësaj, autoritetet e Kosovës kanë filluar zbatimin e vendimit për masa reciproke kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Qeveria e Kosovës sa herë ka marrë vendime të reciprocitetit me Serbinë ka krijuar avantazhe për tregjet e Kosovës, por edhe për tregjet e tjera. “Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitete ndaj Serbisë e konsideroj të duhur, por të vonuar”, ka thënë Shahini, duke shtuar se këso vendimesh duhet të merren vazhdimisht, në mënyrë që të mbrohen prodhuesit vendorë. “Këso vendimesh duhet të merren vazhdimisht për të gjitha produktet dhe të gjitha kërkesat që vijnë nga bizneset e që hasin në probleme të ndryshme, në tregjet apo territorin e Serbisë. Ky vendim është i drejtë dhe kështu duhet të mbrohen ekonomia, biznesi dhe tatimpaguesit e Kosovës nga keqpërdorimet që na bëjnë neve në vendet e tjera, në këtë rast me Serbinë që vazhdimisht e sheh Kosovën si treg për të marrë qindra miliona euro, e që në forma të tjera e pengon në rrugën e integrimit ekonomik dhe politik dhe tenton t’ia ulë imazhin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Shahni.
Ai ka shtuar se sa herë që Kosova ka marrë masa reciprociteti është rritur shitja e prodhimeve të Kosovës. “Në vitin 2012 ishte rritur shitja e prodhuesve nga Kosova deri në 30 %. Kosova është detyruar të përgjigjet në këtë formë për arsye se nuk ka gjetur alternativa të tjera edhe me komitetin e CEFTA-s, por edhe në Bruksel dhe ky ka qenë vendim i detyruar dhe në pajtueshmëri për të drejtën për t’i mbrojtur qytetarët dhe bizneset e veta”, ka thënë Shahini. Sipas tij, me rastin e reciprocitetit ndaj Serbisë duhet të shfrytëzohen portet e Shqipërisë dhe vendeve të tjera për import të derivateve. “Në këtë rast ne s’kemi derivate të naftës dhe gazit dhe të produkteve të tjera, por këto mund të merren duke shfrytëzuar portin e Shqipërisë dhe vendet e tjera, sepse Serbia nuk është prodhuese e madhe e naftës, përkundrazi prodhuesit e mëdhenj të naftës gjenden larg Kosovës dhe Shqipërisë. Importuesit e këtyre derivateve duhet të gjejnë alternativa nëpër portet e Durrësit dhe portet e tjera, të cilat ofrojnë kualitet më të mirë, por edhe çmime më të lira”, ka deklaruar Shahini.

Bajrami: Kosova vazhdon reciprocitetin me Serbinë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, me anë të një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se do të vazhdojë reciprociteti me Serbinë. Ajo ka shprehur keqardhjen që, për shkak të këtij reciprociteti, mërgimtarët që udhëtojnë nga Serbia për në Evropë dhe anasjelltas mund të kenë probleme. Bajrami ka shtuar se marrëveshja e CEFTA-s nuk po respektohet nga Serbia dhe fajtor për këtë situatë janë vetë autoritetet serbe. “Sinqerisht më vjen keq për çdo problem që bashkëkombësit e mi mund të kenë rrugës nëpër Serbi për të ardhur në vendlindjen e tyre në Kosovë. Por, kërkoj mirëkuptimin e tyre. Sa iu përket autoriteteve serbe, po flasim për reciprocitet, çfarë d.m.th. Serbia u ka vënë kompanive kosovare një barrierë të tillë që tetë muaj. Për tetë muaj rresht ne kemi biseduar në CEFTA dhe në Bruksel për të mos ardhur deri te kjo situatë. Fajtore janë autoritetet serbe. Askush tjetër. Serbia asnjëherë nuk duhet të harrojë sa eksporton në Kosovë. Edhe pse ‘nuk na pranon’, ne jemi shtet. Sa iu përket deklaratave se nuk po respektohet CEFTA, nëse Serbia nuk e respekton marrëveshjen e CEFTA-s, si mund të na thotë neve që s’po e respektoni”, ka shkruar ministrja Bajrami.

Dogana vazhdon masën e reciprocitetit

Dogana e Kosovës (DK) nga data 22 mars 2016 ka filluar implementimin e vendimit për reciprocitet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI). “Deri më tani Dogana e Kosovës ka kthyer mbrapa pesë maune me naftë dhe gaz natyror. Dogana e Kosovës është duke e zbatuar në përpikëri vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili është marrë në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e Doganës së Kosovës. Sipas kësaj komunikate, pas fillimit të zbatimit të vendimit nga ana e Doganës së Kosovës dhe pas shpërndarjes së informatave që Republika e Kosovës nuk e njeh më certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritetet serbe për transportuesit, nuk ka pasur tentime për të realizuar importe në vendin tonë nga ana e transportuesve serbë. “Para aplikimit të reciprocitetit gjatë një dite kemi pasur import nga Serbia me një mesatare nga 10 deri në 15 autobote me vajra dhe gazra të ndryshme me vlerë mbi 100 000 euro, pra deri tani taksat e painkasuara shkojnë deri në 500 000 euro. Dogana është e përkushtuar dhe ka kapacitetet e nevojshme për t’i implementuar të gjitha vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e DK-së.