Reçica: Mbetet sfidë punësimi i personave me aftësi të veçanta

E publikuar: 18/07/2018 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me zbatimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me nevoja të veçanta.
Reçica tha se mbetet sfidë punësimi i personave me aftësi të veçanta. Mirëpo ai tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sfidë sa i përket zbatimit është punësimi i personave me aftësi të kufizuar. Me qëllim që të rritet ky numër edhe ne jemi duke punuar në atë drejtim”.

“Besoj që është përparësi e mirë, së shpejti do ta kemi një marrëveshje me Handikosin”.

Ministri i MPMS-së para komisionit përgjegjës prezantoi edhe punën e tij sa i përket sigurisë në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se në këtë aspekt mbetet sfidë numri i vogël i inspektorëve.

“Inspektorati i punës ka filluar inspektimet. Kemi intensifikuar inspektimet në terren, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë. Kemi paralajmëruar se do të jemi pa kompromis. Jemi në rrugë të mirë të vetëdijësimit të rritjes së sigurisë në punë. Jemi duke punuar në vetëfuqizimin e rolit të inspektoriatit”.

Në anën tjetër, anëtarët e komisionit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me punën e ministrisë në trajtimin e këtyre çështjeve.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, tha se përkundër iniciativave të marra, nuk është parë ndonjë rezultat konkret.

“Kam parë se ju i keni identifiku problemet dispozitat ligjore që janë në kundërshtim njëra me tjetrën. Keni marrë disa iniciativa, por ende nuk ka diçka konkrete që e prek qytetarin”.

Fatmire Kollçaku, tha se sa i përket sigurisë në punë, përkundër masave të marra, ende ka raste të fatkeqësive në punë.

Ajo tha se bizneset në të cilat ka aksidente në punë duhet të ndëshkohen.

“Përkundër asaj që ju përmendët, masat fatkeqësisht ne pothuajse çdo muaj shënojmë raste që përfundojnë me fatalitet”.

“Kjo është diçka që neve duhet me na vetëdijësu. Ne duhet të fillojmë me masat ndëshkuese për bizneset çka keni ndërmarrë ju dhe qeveria lidhur me këto biznese që kanë ndodhë këto aksidente”.

Anëtari tjetër, këtë herë nga radhët e Nismës, Enver Hoti, tha se punësimi i vetëm 5 personave me nevoja të veçanta në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk është shenjë e mirë. Ai kërkoi nga ministri që të merret më shumë me këtë çështje në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve me nevoja të veçanta në institucione.

“Ju po ballafaqoheni me një mori ligjesh të cilat edhe ai të tilla po bëjnë shkelje të ligjesh në aspektin e të drejtave të njeriut. Nuk u ndjeva mirë që në ministrinë tuaj është janë vetëm 5 persona me aftësi të kufizuar. Kisha pasë dëshirë që ju të filloni një kampanjë për punësimin e personave me aftësi të kufizuar në institucion.”