Rebelët sirianë rrëzojnë avionin ushtarak rus

E publikuar: 03/02/2018 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rebelët sirianë rrëzuan sot një avion ushtarak rus dhe vranë në tokë pilotin, i cili ishte hedhur nga avioni me parashutë. Ngjarja u konfirmua nga rebelët sirianë dhe ministria ruse e mbrojtjes.

Incidenti ndodhi në provincën Idlib, e cila është bombarduar rëndë nga ajri dhe ka përjetuar luftime në terren mes forcave qeveritare të mbështetura nga Rusia dhe Irani, dhe rebelëve që kundërshtojnë Presidentin Bashar al-Assad.

Sirianët që kundërshtojnë Assadin, e shikojnë Rusinë si një forcë pushtuese, e cila është përgjegjëse për vdekjet e mijëra civilëve që kur Moska iu bashkua luftës përkrah qeverisë siriane në vitin 2015.

Avioni rus u godit pranë qytetit Khan al-Subl, pranë një autostrade kryesore ku po përpiqen të avancojnë ushtria siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani.

Megjithëse piloti arriti t’i shpëtojë përplasjes së avionit, ai u vra në tokë nga rebelët që përpiqeshin ta kapnin rob.