“Realizimi i idesë së Thaçit për kufijtë, do të ishte tradhti kombëtare”

E publikuar: 11/04/2019 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Realizimi i idesë për korrigjim të kufijve, është si tradhti kombëtare. Kështu tha kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi. Ai tha gjithashtu se Qeveria ku Nisma është ortake, nuk po dallon shumë nga qeveritë e kaluara.

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e cilësoi si tradhti kombëtare mundësinë e realizimi të idesë së Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh.

“Nuk mund të themi që e ka tradhtuar vendin deri tani. Por, nëse realizohet ajo që po e thotë [Thaçi], unë mendoj që e ka tradhtuar…Presidenti i shtetit e ka për obligim të mbrojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Jakup Krasniqi në RTV Dukagjini.

Krasniqi hodhi poshtë zërat se ka ndikuar në punësimet e familjarëve të tij në institucionet publike.

“Po të kisha dashur pozita për vete, e kisha pranuar pozitën e ministrit. Pot të kisha luftuar për anëtarët e ngushtë të familjes sime, kisha dërguar ndonjërin nga vëllezërit si zëvendësministër. Ka me përgatitje edhe për njërin edhe për tjetrin”, tha tutje Krasniqi.

Krasniqi u tregua kritik edhe për formën aktuale të qeverisjes ku tha se nuk ka dallime nga qeveritë e kaluara, ndërkaq ftoi pozitën e opozitën të jenë të unifikuara për proceset e rëndësishme.

“Dallim esencial nuk ka, por ka dallime. Isha i bindur se ky koalicion problemet politike më të cilat përballej Kosova do t’i kalonte shumë më shpejt, por ndodhi e kundërta”, tha ndër të tjera Jakup Krasniqi.

Në diskutimin për numrin e veteranëve, Krasniqi tha se nuk mund të kenë qenë më shumë se 20 mijë ndërkaq tha se nuk e ndjen se duhet të kërkojë falje për komunikatën numër 59 të lëshuar nga Shtabi i përgjithshëm i UÇK’së.