Reali fiton në udhëtim te Levante, ndeshja e radhës është ndaj Barcës

E publikuar: 25/02/2019 01:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me dy penallti të shënuara, Real Madridi ka realizuar fitore si mysafir i Levantes (2-1), në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Serie A.

Vendasit e patën rastin e parë të mirë përmes Marti Roger, i cili e goditi shtyllën. Një mundësi të mirë në vazhdim e pati Junior Vinicius, por intervenoi portieri Aitor Fernandez.

Portieri nikoqir i bëri dy pritje të tjera të njëpasnjëshme, pas goditjeve nga Toni Kroos dhe Junior Vinicius.

Para përfundimit të pjesës së parë, me ndihmën e VAR-it, gjyqtari akordoi penallti në favor të Los Blancos, të cilën e konvertoi në gol Karim Benzema (43′).

Pas një ore lojë, me një harkim në zonë, Jose Morales e gjeti Marti Rogerin, goditja e të cilit u ndal në rrjetë për barazimin e rezultatit.

Tjetër penallti për Mbretërit u akordua në minutën e 78-të dhe Gareth Bale ishte i saktë nga pika e bardhë duke e shënuar golin e fitores.

Bale e shënoi golin e fitores (Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Kah fundi i ndeshjes u përjashtuan dy lojtarë me kartonë të kuq, Nacho për mysafirët dhe Ruben Rochina për vendasit.

Real Madridi është në vend të tretë në tabelë, me nëntë pikë prapa liderit Barcelona dhe dy pikë prapa Atletico Madridit që mban vendin e dytë. Levante është në vend të 13-të, me 30 pikë dhe qëndron larg zonës së rrezikut.

Në javën e ardhshme, Los Blancos zhvillojnë ‘el Clasicon’ ndaj Barcelonës, kurse Levante luan si mysafir i Leganes. /Telegrafi/