Reali fiton në shtëpi të Ajaxit në ndeshjen e parë

E publikuar: 14/02/2019 03:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Real Madridi ka fituar ndaj Ajaxit me rezultat 1-2 në stadiumin Johan Cruijff Arena në ndeshjen e parë të fazës eliminuese (1/8 e finales) në Ligën e Kampionëve.

Skuadra holandeze befasoi me lojën e mirë, por në fund përvoja e Los Blancos u tregua vendimtare.

Rastin e parë serioz për gol e kishte Ajaxi në minutën e nëntë me anë të Noussair Mazraoui. Reali iu përgjigj me anë të Vinicius Junior (14′), por Andre Onana bëri një pritje të mirë.

Ndeshja filloi me një minutë heshtje për vdekjen e Emiliano Sala (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Ajaxi vazhdoi dominimin, raste për gol kishte me anë të Dusan Tadic (26′), Hakim Ziyech (36′). Në minutën e 37-të shënoi Nicolas Tagliafico, por gjyqtari anuloi golin pas konsultimit me VAR-in.

Në pjesën e dytë Los Blancos luajtën më mirë, Karim Benzema (51′) kishte rast të mirë për gol, por Onana nuk lejoi edhe një herë që rrjeta e tij të tundet.

Festa te goli i Marco Asensios (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Benzema kaloi Realin në epërsi në minutën e 60-të pas asistimit të bukur nga Vinivius.

Goli i barazimit u shënua nga Hakim Ziyech në minutën e 75-të, por mysafirët pas këtij goli sulmuan më shumë dhe në minutën e 87-të rikthyen epërsinë me anë të Marco Asensios dhe me rezultatin 1-2 përfundoi ndeshja.

Ndeshja e rikthimit do të luhet në Santiago Bernabeu me 5 mars. /Telegrafi/