Reali fiton në kështjellën e Barcës, vë njërën dorë mbi trofeun e Superkupës (Video)

E publikuar: 14/08/2017 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Real Madridi e ka mposhtur Barcelonën në Camp Nou me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës.

Asnjëra nga skuadrat nuk shënoi në pjesën e parë, ashtu që shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të ndeshjes.

Pique shënoi autogol (Twitter/Squawka)

Pesë minuta brenda gjysmës së dytë, pas një harkimi të ulët në zonë, Gerard Pique e dërgoi topin në portën e gabuar (50’).

Pas disa tentativave të katalunasve, gjyqtari e konsideroi të gabuar ndërhyrjen e Keylor Navas në zonë dhe akordoi penallti. Përgjegjësinë e mori Lionel Messi dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë (77’).

Lionel Messi shënoi nga penaltia (Twitter/Barcelona)

Mirëpo, pas një kundërsulmi të shpejtë, Los Blancos e rikthyen epërsinë e tyre. Dhe ishte Cristiano Ronaldo ai që e përfundoi aksionin me një gol të bukur.

Mirëpo, CR7 menjëherë pas u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të një simulimi të pretenduar nga ana e gjyqtarit.

CR7 shënoi dhe u përjashtua me të kuq (Twitter/Squawka)

Mbretërit nuk u ndalën me kaq. Marco Asensio realizoi edhe golin e tretë për skuadrën mysafire (90’).

Triumfi i Real Madridit është mjaft domethënës në këtë ndeshje, kur kihet parasysh se ndeshja e kthimit zhvillohet në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/